Heshtje dhe pakënaqësi

29 gusht 2016 10:38

Para dhjetë vitesh i përcolla të dhënat e opinionit publik në kuadër të Raportit të Paralajmërimit të Hershëm për Kosovë (Early Warning Report- UNDP) rreth gatishmërisë së qytetarëve për protesta. Aty parashihej se brenda pak muajsh do të ketë protesta masive, ndërsa pas pak vitesh gjendja mund të përshkallëzohet në trazira sociale e politike. Ndërkohë, të dhënat nga anketat tjera vazhdonin që tregonin gjendjen edhe më alarmuese, por as protesta gjithpopullore e as trazirat, nuk ndodhën gjatë gjithë këtyre viteve.

Si mund të ketë aq shumë të pakënaqur dhe të gatshëm për protesta, e në anën tjetër aq pak ndryshime politike dhe protesta qytetare? Një dukuri e cila mund të kuptohet kur i marrim për bazë studimet edhe nga vendet tjera, dhe i analizojmë në kontekstin dhe specifikat e Kosovës.

Mosangazhimin dhe apatinë e qytetarëve si në zgjedhje, ashtu edhe format tjera të pjesëmarrjes politike, studiuesit e ndërlidhin me faktorë të ndryshëm socialë e ekonomikë por edhe zhvillimet siç është globalizimi. Ndër shkaqet kryesore politike theksohen humbja e besimit në udhëheqësit politikë, si në pushtetarët ashtu edhe në ata opozitarë. Në Evropën perëndimore, ngritja e partive populliste dhe forcimi i rrymave të ekstremit të djathtë, përveç tjerash vjen edhe si rezultat i dështimit të elitave në pushtet që të ofrojnë zgjidhje të duhura karshi sfidave të ndryshme në rrafshin ekonomik, social dhe atë të sigurisë. Ndërsa në vendet në tranzicion demokratik, siç është Kosova, problemet e shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët e vendit zakonisht anashkalohen apo nuk trajtohen sa e si duhet nga politikanët. Prandaj kjo rrit pezmin, mosbesimin dhe në shumë raste rrjedhimisht edhe bojkotimin politik.

Në Kosovën e parapavarësisë, çështjet si zgjidhja e statusit, negociatat dhe plani i Ahtisaarit zinin vendin qendror në diskutimet politike dhe ligjërimin shoqëror. Pas kësaj periudhe, ishin temat ‘madhore’ si dialogu me Beogradin, Gjykata Speciale, asociacioni dhe demarkacioni ato që margjinalizuan dhe vunë në rend të dytë çështjet si: korrupsioni, nepotizmi, klientelizmi, keqqeverisja dhe çështjet tjera ekonomike e sociale. Pothuajse të gjitha protestat e mëdha gjatë kësaj kohe, bëheshin nën moton e mbrojtjes së kauzave të lartcekura.

Një periudhë relativisht e gjatë dhe me aq shumë çështje ‘madhore’, bënë që pjesa dërmuese e qytetarëve të vihen më shumë në pozitë të spektatorëve të zhvillimeve politike, sesa pjesëmarrës në krijimin e politikave publike që përmbushin kërkesat e tyre. Lëvizjet e pakta shoqërore nuk arrinin dot të përcaktoheshin për ndonjë çështje të interesi të përbashkët publik e as të ishin katalizator të përmirësimeve në fushën e caktuar.

Nganjëherë, protestat ndërlidheshin edhe me donacionet  e huaja, interesat dhe projektet e disa organizatave joqeveritare apo promovimin e disa individëve të caktuar aty. Ndërsa, partitë politike në vend se të krijonin politika të duhura e të ofronin zgjidhje të besueshme për problemet e nevojat e qytetarëve, angazhoheshin më shumë në akuza e kundërakuza, duke e polarizuar kështu edhe në pjesë të shoqërisë në vija ‘patriotike’ e ‘tradhtare’.

Në tërë këtë betejë të vazhdueshme politike, qytetari i rëndomtë apartiak humbi shpresën e besimin se me zërin e vet, mund të ngrihet e të protestojë për shqetësimet e shumta dhe në këtë mënyrë ta përmirësojë jetën e vet dhe të shoqërisë. Sepse, loja politike për pushtet mes partive vazhdon të luhet për çështjet ‘madhore’, duke i lënë qytetarët në pritje e me shpresë që dikush e dikur do të dalë t’i përfaqësojë, t’i mbrojë dhe ofrojë politika që vërtet do t’u përmirësojnë jetën, kthejnë dinjitetin dhe ndërtojnë të ardhme më të mirë.

Ndërsa qytetarët, ende do të besojnë se ndërhyrja e të huajve apo drejtësia ndërkombëtare do të rregullojë çdo gjë së shpejti. Janë këto rrethana që ia mundësojnë pakënaqësisë të shkojë paralel me heshtje dhe durim.

 

 

29 gusht 2016
10:38

Bekim Baliqi