Shefi është cullak- e çka tash?

15 gusht 2016 16:28

Të gjithë e kemi dëgjuar anekdotën e famshme me mbretin, që doli përpara popullit cullak e askush nuk guxonte ta pohojë, përveç një fëmije i cili e tha troç këtë të vërtetë të hidhur. Ky tregim vihet shpesh në analogji me rolin e mediave apo shoqërisë civile në zbardhjen e të vërtetës. Në rastin e përgjimeve të fundit, nuk kemi të bëjmë vetëm me shpërthim të një skandali, të paraqitur nga mediat. As nuk mund të na shërbejë si skeç humoristik apo për sarkazëm në rrjetet sociale. Për më tepër, kemi të bëjmë me një shpërfaqje të një mendësie dhe veprimi politik, i cili jo vetëm që është kundërligjor- ku emërimi dhe ndërhyrja në poste publike gjithsesi përbejnë keqpërdorime të pozitës zyrtare, por përfshin edhe shkelje të rëndë të autoritetit publik, taksave të qytetarëve, përgjegjësisë shtetërore dhe rendit kushtetues.

Si mund t’i besohet tani e tutje konkurseve të hapura, agjensioneve të pavarura, dikastereve qeveritare, këshillit gjyqësor, bordeve publike e të gjitha atyre institucioneve? Si mund të bindemi se këto institucione publike, dhe personat e ‘caktuar’ aty përfaqësojnë interesat shtetërorë e jo partiake, se janë përgjegjës ndaj qytetarëve dhe jo ndaj ‘shefit’?! Çfarë kuptimi kanë pohimet për sundim të ligjit, luftës kundër korrupsionit, për transparencë, qeverisje të mirë dhe demokratike, nëse jemi dëshmitarë të lidhjeve klienteliste, nepotizmit, keqpërdorimeve të pozitave zyrtare dhe emërimeve partiake si mënyrë e zakonshme dhe deri tani e pandëshkueshme e politikbërjes.

Demokracia përfaqësuese si sistem politik në Kosovë, ka pushuar së ekzistuari, prej momentit që ‘shefat’ e pushtetit i kanë shndërruar interesat e tyre klanore e partiake në interes shtetëror. Mjafton vëmendja e shtuar në analizimin e bisedave telefonike dhe krijohet pasqyra e qartë se si dhe me çfarë lehtësie e marrëzie trajtohen çështjet ‘shtetërore’ në interesa të familjes dhe partisë.  Shteti autoritetin e vet e bazon në legjitimitet, i cili buron nga besimi i qytetarëve, përmes votës në zgjedhjet e lira apo përfaqësuesve të tyre politik. Njëkohësisht as demokracia nuk mund të funksionojë pa besimin e qytetarëve, e cila përbën arsyen e ekzistencës së vet politike. Vetëm në një sistem totalitar e diktatorial caktohen zyrtarët nga partia dhe ‘shefi’, në një demokraci të mirëfilltë kjo nuk mund të ndodhë në asnjë rrethanë.

Sepse, qytetarët janë të barabartë si para ligjit ashtu edhe në mundësitë për t’u punësuar e ushtruar detyra publike. Sepse, udhëheqësit politikë nuk mund ta trajtojnë shtetin si pronë private. Dhe sepse, kushdo që ka sado pak respekt dhe dinjitet për vete, shoqërinë dhe shtetin duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe ligjore për veprimet e veta.

Prandaj, ekspozimi cullak i ‘shefit’ vë në pikëpyetje edhe funksionimin e tërësishëm të sistemit demokratik dhe vet autoritetin e shtetit. Në rast se nuk ndërmerren masat e duhura për hetime dhe nuk barten pasojat ligjore e politike, atëherë është vështirë të kthehet besimi, edhe ashtu përtokë, i qytetarëve dhe bindja ndaj autoritetit shtetëror. Më e pakta çka mund të bëjë qeveria tani, është që të kërkojë me ngulm hetimin e rasteve të ‘emërimeve’ në pozita publike dhe keqpërdorimet tjera. Ndërsa, më e pakta që mund të bëjë Partia Demokratike e Kosovës, është që të distancohet nga zyrtarët e vet të apostrofuar në përgjime dhe të iniciojë largimin e tyre nga pozitat aktuale partiake e publike.

Kurse, qytetarët, duhet të ngrihen në mbrojtje të demokracisë, shtetit dhe  dinjitetit të tyre, si qytetarë të lirë e barabartë të këtij vendi, deri në largimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Çdo justifikim tjetër le të kuptohet si lejim dhe aprovim i veprimeve të tilla. Çdo heshtje e mëtejshme do të jetë mbështetje e një mendësie para-politike, uzurpuese dhe klienteliste. Prandaj, lufta për liri, për barazi dhe për demokraci është edhe përpjekje e vazhdueshme që të mbrohen këto vlera nga ata që i përvetësojnë dhe keqpërdorin.     

 

15 gusht 2016
16:28

Bekim Baliqi