29 korrik 2016
10:44

Ndoshta do të vijë një kohë, kur shoqëria të heqë dorë për t’u përzier në planifikim familjar. Tash për tash nuk shihet që ka gjasa të ndodhë diçka e tillë në shoqërinë kosovare. Sapo të martohesh fillojnë të të gozhdojnë me pyetje nëse je shtatzënë. Në rast se nuk ngel shtatzënë në vitin e parë të martesës, të pyesin çdo ditë “Pse s’po boni fëmijë?”. Pa humbur kohë fillojnë thashethemet për probleme në martesë ose për infertilitet. Ndjejnë keqardhje të thellë për çiftin që nuk po e sjell në jetë një pasardhës.
Mirëpo, asgjë nuk bëhet më mirë me ardhjen e fëmijës së parë. Vazhdimisht të skanojnë me sy, ta stëranalizojnë barkun edhe të pyesin nëse je prapë shtatzënë. E kur e kuptojnë që nuk je, atëherë të pyesin me ngulm se çfarë po pret për t’ia bërë fëmijës një shok apo shoqe.
Situata bëhet edhe më tragjike për të tjerët kur fëmija t’i mbushë 3, 4 ose 5 vjet dhe ti akoma nuk e ke në plan fëmijën e dytë. Atëherë konstatojnë që diçka nuk është në rregull me ty, ose të etiketojnë si person “egoist” dhe “përtac”. Presion akoma më të madh nga shoqëria përjetojnë gratë që kanë vajza.
Koncepti i familjes pa fëmijë ose me një fëmijë të vetëm, për pjesën dërrmuese të kosovarëve është ende absurd dhe i papranueshëm.
Sa anëtarë i ka ose do t’i ketë një familje, çfarë dallimi në moshë do të kenë fëmijët, a do të ketë çifti fëmijë apo jo - vendosin EKSKLUZIVISHT gruaja dhe burri. E jo kolegët, shoqëria ose familja e gjerë.
Prandaj është çështje shumë personale se a do të ketë çifti fëmijë, kur dhe sa fëmijë do t’i kenë ata. Edhe më tepër kur çifti nuk dëshiron të ketë fare fëmijë. Po pra, ka edhe gra që nuk kanë dëshirë të bëhen nëna dhe duhet të respektohen për vendimin e tyre, e jo të terrorizohen me pyetje.
29 korrik 2016
10:44