Kundër dhunës, pro dhunës

27 korrik 2016 10:30

Derisa në statusin e parë dhe të dytë u përpoqa të ekspozoja dy qëndrime inkonsistente të këtyre që u rreshtuan përkrah puçistëve në Turqi—qëndrime këto hipokrite në raport me shtypjen dhe revolucionet, në këtë status dëshiroj t’i mëshoj një pozicioni tjetër të tyre, atë se si i qasen problemit të përdorimit të dhunës në Kosovë dhe Turqi.

Në rastin e Kosovës, siç dhe dihet botërisht, të gjithë këta që u rreshtuan përkrah puçistëve kanë qenë prej kohësh kategorikisht kundër përdorimit të dhunës—përjashto, këtu, dhunën policore që kurrënjëherë nuk janë ndërmendur për ta kritikuar.

Thënë shkurt: pacifistë të pandreqshëm.

Madje, jo shumë kohë më parë—me rastin e demonstratave kundër asociacionit serb dhe demarkacionit me Malin e Zi, ta zëmë, insistonin kokëfortësisht se “dhuna kundër institucioneve publike është e papranueshme,” se “nuk është në interes të vendit përdorimi i dhunës,” dhe mbi të gjitha, shtonin ata, “dhuna dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës.”

Sigurisht, kishte edhe asi halabakë që akuzonin subjektet opozitare se dëshironin të vinin në pushtet përmes metodave të dhunshme. “Përmes votës, jo dhunës,” shpjegonin sa e sa herë ata, “mund të vihet në pushtet në një sistem demokratik. Ndërkaq, këta, këta të opozitës dëshirojnë të vijnë në pushtet përmes dhunës.”

Për më tepër, kishte edhe asi kokëkrisur që çdo grevë, çdo protestë, çdo demonstratë popullore e shihnin si tentativë për ta përmbysur rendin kushtetues në Kosovë.

Madje—nuk e di nëse njëmend është e vërtetë apo jo (i mbetet, gjithsesi, autoriteteve të rendit dhe sigurisë ta hetojnë një gjë të tillë), kam dëgjuar se edhe grevën e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Celikut nga Ferizaj (IMK) e kanë cilësuar si të dhunshme.

Më shumë se kaq—kërcënim për rendin kushtetues të Kosovës. Përndryshe, kishin pyetur ata (gjithmonë sipas asaj që kam dëgjuar):

- Si shpjegohet fakti i pozicionimi i tyre afër objektit të qeverisë?

- Heshtja e tyre e frikshme mbi 600 ditëshe?

- Ngjyra e bardhë e tendës?

Të gjitha këto, sipas nëpunësve të Departamentit të Shtypjes së Protestave në QevePol, ishin indikacione të mjaftueshme se ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave ishin duke bluar diçka në mendjet e tyre për marrjen e pushtetit me dhunë.

Dhe, për t’ua prishur planet famëkeqe atyre, njëri nga nëpunësit kishte propozuar që të bashkëpunonin me subjektet opozitare në organizimin e një protestë popullore, në mënyrë që pastaj QevPol t’i largonte ata dhe ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave.

Dhe ashtu ndodhi, mjerisht. Të gjithë u larguan duarthatë.

Jo rastësisht, disa prej grevistëve më të moshuar kishin nëmur subjektet opozitare edhe me një nemë që nuk ishte dëgjuar më pare në botë: me ‘mos-ardhje-kurrë-në-pushtet.’

Arsyeja, siç rrëfenin vetë ata, ishte se sherri i tyre—subjekteve opozitare, kishin pësuar edhe ata vetë.

Cuditërisht, prej asaj dite e tutje, subjektet opozitare nuk e kanë parë më ditën e hairit.

***

Ndërkaq, me rastin e puçit të dështuar ushtarak në Turqi, e pamë se si ata që dikur brutalisht kundërshtonin çdo lloj dhune në Kosovë u rreshtuan pa menduar fare përkrah dhunës së puçistëve me mitralozë, tanke dhe avionë ushtarakë në Turqi. Për më tepër, jo vetëm që tash arsyetonin hedhjen e gurëve dhe koktejve të molotovit në drejtim të institucioneve publike—parlamentit, qeverisë dhe presidencës, por madje kërkonin edhe bombardimin e tyre.

Prandaj, pyetja legjitime që shtroj unë, por besoj edhe të tjerët, është se si u bëka që në njërën anë të denoncosh dhunën kundër institucioneve publike në Kosovë, dhe në anën tjetër, të dalësh në përkrahje të dhunës kundër institucioneve kryesore turke?

Ose më konkretisht: si u bëka të dënosh hedhjen e gurëve dhe koktejve të molotovit në rastin e institucioneve publike të Kosovës dhe të dalësh në përkrahje të bombardimit të institucioneve kryesore në Turqi—parlamentit, qeverisë dhe presidencës?

Këtë nuk mund ta rrok mendërisht unë.

Po, këta mund të thonë (siç edhe në të vërtetë kanë deklaruar):

- Por Erdogani ka fituar 49.50% të votave, ndërkaq partitë opozitare, marrë bashkarisht, kanë fituar mbi 50%. Kjo i bie se gjysma e popullsisë kanë votuar kundër tij dhe partisë që ai udhëheq.

Pajtohem.

Pajtohem edhe me kritikën që ky rezultat zgjedhor duhet parë në dritën e shtetit të kapur në Turqi.

Po, a nuk përshfaq ky arsyetimi i juaj një hipokrizi edhe më të madhe?

Sepse, në qoftë se nuk ju ka shqitur nga mendja, në kohën kur partitë që përbënin VLAN-in refuzonin të hynin në koalicion me PDK-në ishit pikërisht ju që deklaronit asokohe se “shumica e qytetarëve kanë votuar PDK-në,” “se PDK-ja është partia e parë,” “se është vullneti i popullit të Kosovës që PDK-ja ende të mbetet në pushtet.”

Pse atëbotë, unë pyes, nuk deklaronit se shumica e qytetarëve kanë votuar kundër PDK-së?

Dhe, të merremi vesh: PDK-ja kishte vetëm 31.38 % të votave, që i bie jo vetëm më pak se gjysma e qytetarëve, por gati 70 përqind e qytetarëve të Kosovës të kenë votuar kundër PDK-së.

Për më tepër, që ta përmbyll këtu edhe këtë status të tretë (pas I dhe II), të gjitha partitë opozitare në Turqi ishin kundër puçistëve. Thënë shkurt, puçistët nuk kishin as përkrahjen politike të partive në opozitë, as përkrahjen e popullit, e që besa as përkrahjen e vetë ushtrisë.

 

27 korrik 2016
10:30

Armend Mazreku