Një përvetësim i domosdoshëm mbi identitetin dhe politikën

27 korrik 2016 10:05

Babai im është polic. Kjo nuk do të thotë që ai është anëtar i SHPK-së apo i ndonjë agjencie të sigurimit kombëtar, që ai e lufton krimin, mbron ligjin dhe punon për ta bërë qytetin me të sigurt. Babai im është polic, sepse ai e percepton komunitetin në terma të shpërndarjes së funksioneve. Vendmbajtjes së identiteteve dhe kompetencave. Ai nuk e pranon intelektin e pamiratuar nga titulli akademik apo reklama mediatike. Babai im është anëtar i agjencisë së privatizimit të fuqisë intelektuale. Dhe kjo do të kishte pak peshë, po qe se babai im të mos ishte norma mbisunduese e shoqërisë sonë.

Shkëputja ime nga babai nuk nënkupton çlirim nga autoriteti, me qëllim të ripërtrirjes së tij. Kjo do të më bënte edhe mua polic. Edhe kur e definoj veten time si shqiptar, e bëj sepse i takoj një historie. Poashtu, kam një lidhje të fuqishme me gjuhën shqipe. Më pëlqen të punoj me të. Por nuk i qasem politikës nga perspektiva e vendmbajtjes së identitetit të të qenit shqipfolës. Sidomos sot, kur identiteti është folje ndihmëse e burokracisë, e kuvendit dhe e gjyqeve nën një sovranitet të demokracive kushtetuese, të cilat i mendojmë si forma sipërfaqësore të fuqisë së çdokujt prapa së cilave fshihen qeverisjet oligarkike. Në Kosovë, këto qeverisje pastaj në katin e dytë i nënshtrohen formës tjetër sipërfaqësore, gjegjësisht asaj të vendimarrjes kosovare, prapa së cilës tani fshihet rekomanduesi “euroatlantik”.

Në rini jam prekur nga ekzistencializmi i Sartre, strukturalizmi i Barthes dhe psikoanaliza e Lacan, dhe aty e kam mikpritur impresionin që secili identitet është një burgosje në rol. Një konstrukt artificial. Dëshira ime është gjithmonë dëshira e ligjit në sensin e tij antropologjik - parimeve fundamentale që i nënvizojnë marrëdhëniet shoqërore.

Nuk jam albanolog. Të gjithë albanologët janë policë. Unë jetoj përtej idealizmit albanofil të krenarisë mitike të mëveshur me lirika për kombin. Mund ta imagjinoj këtë diskurs shqiptar që kemi sot pa gjuhën shqipe, dhe anasjelltas. Për mua, në instancën e Kosovës, Shqipërisë, etj., gjuha shqipe dhe kombi i politikave, ai i pozitës së shtetit në fushën e shahut regjional, janë të ndara. Kombi shqiptar është njëfarë uzurpimi i gjuhës shqipe. Dhe si çdo uzurpim, në raport me vendin e uzurpuar, është i pamjaftueshëm.

Përmes gjuhës, ose gjuhëve, ne mundohemi ta artikulojmë marrëdhënien tonë me botën. Identiteti shqiptar është marrëdhënia në mes të gjuhës shqipe dhe botës, aq sa ai mund të veçohet në secilin individ veç e veç. Kjo marrëdhënie merr jetë në vete duke ia nënshtruar botën gjuhës dhe gjuhën botës. Në këtë mënyrë duke e rregulluar njërën dhe tjetrën kundër një bote tjetër, që do të mund të nënkuptonte një gjuhë dhe një marrëdhënie tjetër.

Çfarë më bën të largohem nga nocionet e identitetit dhe të kulturës është pikërisht fakti që njerëzit lejohen të flasin vetëm në emër të identitetit që duhet ta luajnë. Por,  të veprosh si qytetar nuk do të thotë ta mbrosh kulturën tënde, ose grupin tënd. Në fakt, kultura është gjithmonë njëfarë shkëputjeje nga identiteti. Mundësia për ta folur gjuhën tjetër nga gjuha e stërgjyshërve, grupit tënd shoqëror, ose interesit. Ndërsa hapësira publike është publike vetëm atëherë kur na e mundëson çlirimin nga këto lidhje dhe kapje. Mu aty ku fillon politika, kur më nuk jemi përfaqësues të një apo tjetër komuniteti lokal, religjioz apo shoqëror.

Kur e kemi arritë identifikimin tonë me anonimitet.

 

27 korrik 2016
10:05

Genc Kadriu