Kundër Revolucioneve, Pro Puçeve dhe Diktaturave Ushtarake

23 korrik 2016 10:47

Një mësim tjetër, në mos më i rëndësishmi në rendin hierarkik të hipokrizisë së atyre që dolën në mbrojtje të puçistëve në Turqi, ndërlidhet edhe me faktin e pozicionimit të tyre anti-demokratik dhe anti-politik në raport me revolucionet dhe puçet ushtarake.

Në njërën anë, ta zëmë, ka kohë që njerëz të tillë—njerëz që dolën në përkrahje të puçistëve në Turqi—predikojnë qëndrimin se revolucionet, si transformime radikale socio-historike janë “ide të tejkaluara tashmë,” “të përgjakshme,” dhe mbi të gjitha, insistojnë ata, “sjellin në pushtet diktatorë edhe më të egër se pararëndësit e tyre.” Këtu, sigurisht, nuk harrojnë të përmendin Robespierrin, Stalinin, Hitlerin, Kastron (të merremi vesh: s’është fjala për këngëtarin shqiptar!), Chavezin. E, nëse ndonjërit i ka qëlluar të ketë lexuar Republikën e Kafshëve të Orwell-it, do ta përmend Napoleon-in e famshëm se ç’ke me të.

Në anën tjetër, ndërkaq, veçmas pas asaj që ngjau në Turqi para pak ditësh, të njëjtit njerëz, ama bash të njëjtit njerëz që luftonin jo vetëm Revolucionin si të tillë, por madje edhe atë pak sistematicitet revolucionar të Lëvizjes Vetëvendosje, tash postulojnë paturpësisht se puçet ushtarake, apo, thënë më mirë, diktaturat militare na qenkan ato që në të vërtetë vëjnë popujt në lëvizje drejt vlerave dhe parimeve universale.

Pra, me pak fjalë, janë puçet dhe diktaturat ushtarake, deklarojnë ata, ato struktura të domosdoshme historike për të themeluar njëherë e mirë mundësinë që “popujt e prapambetur” të Lindjes të përparojnë kah sekularizmi, individualizmi, liria, barazia, demokracia, të drejtat e njeriut, e kështu me radhë. Tekembramja, shtojnë ata, diktaturat edhe ashtu janë Orientale, pra Lindore!

E megjithatë, për të mos iu hyrë në hak “dashnorëve të lirisë dhe demokracisë” në Kosovë, më duhet të nënvizoj faktin se dashuria e tyre për puçet ushtarake daton edhe më herët se kaq, respektivisht me rastin e puçit dhe diktaturës ushtarake të al-Sisit në Egjipt. Asokohe, më kujtohet shumë mirë se si njerëzit e njëjtë që sot dalin në përkrahje të puçit ushtarak në Turqi u patën pozicionuar pro-puçit dhe diktaturës ushtarake të al-Sisit. Cuditërisht, “dashnorët e lirisë dhe demokracisë” kurrë nuk u ndërmenden të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër diktaturës së al-Sisit. Kjo, për mendim tim, flet shumë, tepër shumë rreth asaj nëse njerëz të tillë janë njëmend të shqetësuar për fatin e lirisë dhe demokracisë në botë. Për më tepër, që ta përmbyll edhe këtu këtë status, e bën tërësisht të pavlefshëm gjoja shqetësimin që ata ndjejnë për popullin turk nën regjimin autoritar të Erdoganit dhe partisë së tij.

Por s’ka si të jetë ndryshe, besoj unë, për aq kohë sa pozicionohesh kundër revolucioneve demokratike dhe pro puçeve ushtarake.

P. S. Lexuesi duhet ta ketë paraysh se ky status është vazhdim i atij të parit, “Kundër Shtypësit, Pro Shtypjes.”

23 korrik 2016
10:47

Armend Mazreku