Kundër Shtypësit, Pro Shtypjes

21 korrik 2016 10:07

Të pozicionohesh kundër një puçi të dështuar ushtarak sikur ky që ngjau në Turqi, por edhe ndaj të gjitha puçeve të tjera ushtarake në botë, nuk do të thotë kurrsesi të dalësh në mbrojtje të regjimeve autoritare—qoftë ky i Erdoganit dhe partisë së tij—qoftë i ndonjë autokrati apo sunduesi tjetër. Përkundrazi, do të thotë të pozicionohesh kundër të gjitha formave të autoritarizmit, despotizmit dhe totalitarizmit.

Ndërkaq ju, ju që dolët në mbrojtje të këtij puçi, e pamë që s’e çani dot kokën për demokracinë. Përkundrazi, dhe kjo përbën në pikëpamjen time pjesën më të bukur të asaj që ndodhi në Turqi, e kuptuam se ju nuk keni kurrfarë problemi me regjimet anti-demokratike.

Po, është e vërtetë se dolët kundër Erdoganit, dhe mirë keni bërë, por problemi me ju është se nuk dolët kundër autoritarizmit si të tillë. Madje, ironikisht, as vetë puçistët nuk është se ishin kundër autoritarizmit të Erdoganit dhe partisë së tij, por sall kundër asaj që disa e quajnë përpjekje të tij për ta përmbysur rendin sekular  në Turqi.

Ju, me pak fjalë, dëshiruat të zëvendësoni një formë të sundimit me një tjeter, madje edhe me të egër seç është regjimi i tanishëm autoritar i Erdoganit dhe partisë së tij. Konkretisht, një model të Shah-ut, al-Sisit, apo edhe nga ata që vazhdojnë të terrorizojnë popuj të tërë në Amerikën Latine, Afrikë e Azi.

Pra, ju u pozicionuat kundër shtypësit (Erdoganit), por jo kundër shtypjes si të tillë.

Këtu qëndron problemi me ju.

Sepse, të merremi vesh: mund të jesh kundër shtypësit dhe njëkohësisht të mos kesh kurrfarë problemi me shtypjen. Madje, dhe për këtë e kemi dëshmitare historinë, letërsinë, kinemanë dhe psikoanalizen, njerëzit shpeshherë priren të urrejnë shtypësit vetëm dhe thjesht pse nuk janë vetë aty—në pozitat shtypse, dominuese, sunduese, e kështu me radhë.

Kështu që, nga ato që pashë në reagimet tuaja, kam përforcuar bindjen edhe më shumë se jeni në gjendje jo vetëm për të bekuar çdo lloj forme të autoritarizmit, por për të përkrahur militantisht edhe regjime nga më despotike/tiranike/totalitare vetëm e vetëm që ato të jenë sekulare. (Gjithmonë, po flas, sipas shpërfytyrimeve që keni ju mbi sekularizmin, sepse modeli që ju proklamoni nuk ka të bëjë asgjë, ama bash asgjë me modelin sekular te shteteve te ndryshme Perëndimore—Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Britanisë së Madhe, e kështu me radhë, modeli i të cilave duhet synuar të etablohet edhe në institucionet e sistemit tonë. Përkundrazi, modeli sekular që ju proklamoni nuk dallon aspak nga regjimi i Shah-ut dhe al-Sisit. Këtu, ne fakt, qëndron e gjithë inkonsistenca e diskursit tuaj: në njërën ane, ta zëmë, e keni plot gojën Perëndim, Perëndim, Perëndim, ndërkaq, në anën tjetër, dëshironi të na katandisni kah regjimi i Shah-ut dhe al-Sisit).

Prandaj, mësimi i parë që mësuam nga rasti i Turqisë është se ju nuk keni kurrfarë problemi me shtypjen, por vetëm me shtypësin. Dhe, gjithashtu, se “sekularizmi” për ju qenka me i rëndësishëm se demokracia!

21 korrik 2016
10:07

Armend Mazreku