Mbi vrasjen e deputetes britanike në prag të Brexit-it

24 qershor 2016 12:07

Debatet politike në Britani janë kurdoherë interesante dhe të pasionuara. Të ashpra, ndonjëherë pa skrupuj, por që gjthsesi qëndrimet kundërshtare i respektohen, e nuk i klasifikon si "të liga" a "të kobshme", e nuk shoqërohen me gjuhë të urrejtjes. Në përgjithësi, fushata disa muajshe për referendumin “Brexit” është përshkuar nga kjo frymë.

E megjithatë, retorika e shkujdesur dhe patosi i pakontrolluar te dikush ndjell panikun e “kërcënimit të pastërtisë së kombit e “heqjes dorë nga sovraniteti i shtetit”. Dhe çohet e vret kundërshtarin politik. Hiq më pak se një deputete të Parlamentit që demokracinë e njeh me shekuj. Pastaj, më kot e quajnë këtë dukuri si rast i izoluar, e dorasin “vetmitar” për ta pastruar nga “faji” i motivimit politik. Mirëpo, asnjë “vetmitar” nuk jeton mënjanë nga ngjaret e ligjërimi që e rrethon.

Mendoj se kjo vlen jo vetëm për rastin në Britani, por edhe për shumë të tjera në rruzull e në shoqëritë tona; që nga ligjërimi politik, aktivizmi i motivuar ideologjikisht, “lufta kundër terrorizmit të përbotshëm”, etj. Andaj, kujdes si po ndërtojmë argumentet për qëndrimet tona politike e çfarë fjalë po përzgjedhin me i ngjallë emocionet e përkrahësve! Britanikët pa problem munden me e lokalizu dukurinë e mos me e leju të shpërndahet me gjerë në shoqëri. Por, për ne, që nuk kemi as kulturën politike e as mekanizmat ideologjikë e represivë shtetërorë të krahasueshëm me Britaninë, është kërcënim shumë më serioz.

Politika është lojë e politikanëve. Por, një lojë që ndikon fatet tona, si individë e si shoqëri. Megjithatë, është e rrezikshme që debati politik të parashtrohet si çështje e jetes a vdekjes. Këto janë kategori përtej politike. Dikush, qoftë një aktivist, a vetmitar, mundet me e marrë seriozisht këtë kërcënim dhe kjo të rezultojë me pasoja serioze për jetën e dikujt. Kur është në pyetje ekzistenca e një entiteti thelbësor (kombi, shteti, a shoqëria), politika vazhdon me mjete të tjera…

24 qershor 2016
12:07

Gëzim Selaci