Nga rubrika e reciprocitetit

10 maj 2016 04:53

Që marrëveshjet që po i ban shteti ynë me shtetet tjera, edhe kur po i quen reciproke e nuk po kanë as erë reciprociteti, tashma po e dinë edhe fëmija në shkollë fillore. Saqë kanë fillue me dyshue kuptimin e fjalës, e po dojnë me u organizue me e hjekë këtë fjalë krejt prej përdorimit. “Mbasi s’ka kuptim pse me e përdorë, boll fjalë po duhet me i mësue ashtu kështu, pse me mësue edhe të tilla që s’kanë kuptim?” - thotë Zana, që asht nxanëse në klasën e parë të shkollës fillore të mesme të ulët, të renovueme por me pikje uji nëpër mure dhe erë shurre në tana anët, Filane Fisteku.

Për me ilustrue reciprocitetin në nji shembull praktik për Zanën, e mora shembullin e marrëveshjes së Kosovës me Maqedoninë për kalimin në kufi me letërnjoftim.

Kosovarët dhe maqedonasit tashti mujnë me kalue në kufi andej e këndej veç me letërnjoftim. Deri këtu po duket shumë reciproke kjo marrëveshje, pasi që edhe na, si ata mujna me kalue kufinin veç me letërnjoftim p. sh. kur të duem me shkue në Sistinë te doktori apo në “Tërgovski” me ble naj teshë. Pshtim për shumë e shumë familje për të cilat nxjerrja e pasaportës asht luks që s’mujnë me ia lejue vetes. Jo për najsen, por sepse nuk kanë. Përnjime s’kanë. Nuk asht puna veç për nji pasaportë, por shpia s’e ka veç nji njeri, e me ia nisë krejt me nxjerrë kah nji çka bahet?! Hajt me thanë njeri: tashti që po bahet po get liberalizimi i vizave, ndoshta edhe ia vlen me nxjerrë pasaportën, eventualisht me shkue te djali në Gjermani naj ditë, por deri dje kur edhe ymytin e kishim humbë si popull që najherë ka me u ba ky liberalizim, pasaporta ishte luks për shumë familje. Kështu që lajmi se bile në Maqedoni mujna me shkue veç me letërnjoftim i gëzoi shumë njerëz.

Dhe shih ti, mbrrinë në kufi kosovaro-maqedonas, e nxjerr letërnjoftimin, por s’mundesh me kalue pa pasaportë. Pse? Sepse, marrëveshja thotë që kosovarët për me kalue kufinin me letërnjoftim duhet me pasë letërnjoftim biometrik, ndërsa maqedonasit, jo. Ata mujnë me kalue me nji letërnjoftim që s’asht biometrik. Në Maqedoni në fakt deri tash as nuk ekzistojnë letërnjoftimet biometrike. Hiç nuk ekzistojnë. Në Kosovë ekzistojnë letërnjoftimet biometrike, por plot njerëz nuk i kanë marrë hala, sepse, i kanë letërnjoftimet jobiometrike, të cilët janë validë dhe kanë hala afat. Pse me e ndrrue diçka që vlen hala? Aq ma shumë tu e pasë parasysh rrezikun që në fotografinë për letërnjoftim të ri mundesh me dalë edhe ma keq se në fotografinë e letërnjoftimit të vjetër. E plus, që duhesh me pague, me ba kopje këtë, kopje atë dhe me ia kqyrë mrrolat asaj në shallter.

Unë mora përsipër me i tregue Zanës, se fjala reciprocitet ka përdorim të kuptimt në gjuhën tonë, veç jo atë kuptim që kemi mendue. Kuptimi i kësaj fjale asht ky: “Ti reci, unë PRO”. Pasi që Zana nuk e kupton këtë gjuhë ia sqarova shkurt e shqip.

Reciprociteti në përdorimin tonë të gjuhës, në Kosovë por po get edhe ma gjanë, nënkupton: Ju merrni çka të lypni, na marrim çka t’na jepni!

Zana, në fund, me sinqeritetin pa hile të nji fëmije ma bani nji pytje që s’dita me iu përgjegjë: “A budallë jena na a?” – tha!

Nuk e di Zanë, nuk e di – i thashë – por e di që s’jena fort të mençun!

Ec e shpjegoja tash fëmisë, që i kena politikanët të korruptuem deri në fyt. M’u dhimbt me ia sfidue kuptimin e fjalës “korrupsion”, për të cilën ajo kishte bindjen që asht “aftësi e të organizuemit mire”. E që asht, asht!

10 maj 2016
04:53

Ardiana Shala Prishtina