Seksi, gratë, shqiptarët dhe morali

28 prill 2016 16:16

Nji-dy fjalë në lidhje me rastin e deputetes Mehmeti. Tue qenë se veç ajo po akuzohet për „shkaktim të krizës nacionale të moralit/moraleve“ në botën e moralshme të Maqedonisë dhe ma gjanë, po e quej „rasti i saj“.

Sot njani në kuptimin e plotë të fjalës, më shau „me burrë“. Po e dini qysh shajnë dhe ju lejohet me sha veç burrave, ama jo “me nanë”, por “me burrë”. Më çuditi pse më shau me burrë e jo me nanë (po get ai kish vendosë në mendjen e vet për mue, që në moshën teme unë isha dashtë me qenë e martueme, që në mendjen e tij nënkupton unë isha dashtë me qenë pronë e ndoj burri deri tash).

E habitun pak, e veta: pse po më shan me burrë? (Konteksti i krejt muhabetit asht koxha jo relevant). N’daç besoni n’daç jo, tue keshë gati me lot, se s’mujsha me besue çka po ndi’, përgjigjja e tij ke: „që po të len me folë“ (me demek kjo në botën e tij i bike: që ti si grue, nuk ishe dashtë me guxue me folë me mue (nji burrë) dhe unë flas veç me burra). Ia dhashë nji „kompliment“, i thashë e paske stilin e kryeministrit tonë. Iu ba qejfi edhe e lashë me aq.

E tash për me iu kthye rastit të deputetes Mehmeti: jam e sigurt që nuk asht e lehtë me të akuzue dikush për ndonji akt seksual me dike’ jashtë „normave“ që pranohen në nji shoqni, sidomos nëse je grue, e veçanërisht nëse je grue shqiptare, e veçanërisht nëse guxon me folë, ose edhe veç me ekzistue aty ku burrat kuvendojnë “si burra”, pra në parlament, në politikë, aty ku komplekset e burrnisë kompensohen me Q7 e sahata Rolex. Padyshim me të akuzue për nji „skandal“ të tillë seksual kur s’asht e vërtetë, asht edhe ma e vështirë.

Asht e tepërt m’e quejtë diçka të tillë “skandal”, sidomos në nji shoqni që po shpartallohet prej krimeve në rangje ma të nalta shtetnore; në nji shoqni që po ngulfatet prej korrupsionit; në nji shoqni ku shqiptarët hala s’e kanë kuptue që s’janë të barabartë me maqedonët; në nji shoqni ku romët s’i ban hesap kurrkush që janë njerëz e këta s’janë të barabartë as me shqiptarët; në nji shoqni ku njerëzit në agoni të dekës shajnë politikanët prej mllefit. Në shoqni të tilla morali asht bisht pa kaci, e sidomos kur bahet fjalë për seks mes dy njerëzve të rritun.

Jemi shumë larg me e kuptue se nuk asht punë e kurrkujt, ama bash hiç e kurrkujt, se kush me kë flen e qysh e tek, i martuem a jo. Si duket nuk i kemi punët hala aq keq, sa mos me pasë kohë me u marrë me gjana të tilla, por mjaft keq sa me besue që grueja duhet me e ruejtë ftyrën ma shumë se burri, edhe se morali edhe seksi kanë të bajnë ndojçka me njana tjetrën, sidomos në rastin e saj.  

Prandaj, si grue, e vetmja mënyrë me i fitue këto beteja e me ia mshelë gojën krejt burrave e grave „të moralshme“ të nji shoqnije në fund të greminës, asht me thanë që: akuza asht e vërtetë edhe që seksi t’ka pëlqye.

Sepse, ata e kanë vendosë tashma që ti je „kurvë“. Ata e kanë vendosë, kush e di, edhe shumë ma herët, por ta kanë thanë veç mbas shpine. E sidoqoftë, nëse jo ky „skandal“, herët a vonë si grue e suksesshme do të përfshiheshe në ndonji „skandal“ tjetër, ku sille kah ta sillsh, edhepse ndoshta nuk do baheshe faqe gazete, ty kishin me të akuzue që „ke fjetë me filanin, se kurrë aty s’kishe mbrri“.   

Kur je grue, çdo ditë të shan ndokush dhe veç pse je grue që flet „në mejdan të burrave“. Por, secila ditë prej këtyne ditëve, mundet me qenë nji ditë ma shumë që ti vazhdon me folë.  

28 prill 2016
16:16

Ardiana Shala Prishtina