10 mars 2016
13:09

Çështja e brendshme e Kosovës nuk është, siç na thonë ata në pushtet, çështje e integrimeve evropiane, apo në anën tjetër, çështje e sovranitetit, republikës, demokracisë siç e cilëson opozita, gjegjësisht Partia/Lëvizja Vetëvendosje!, sepse Nisma, AAK, etc., bashkë me apostatët e partive të pushtetit, nuk mund të konsiderohen me shumë se aksesorë të së parës, sinqeriteti i të cilëve është provuar kaherë.
Çështja e brendshme është çështje ekzistenciale, çështje e jetës në Kosovë, ripërvetësimi i së cilës mund të bëhet vetëm me konfrontim të hapur ndaj relacionit politik të nënshtrimit bashkëkohor dhe të skllavërimit fajdetar: kredisë.
Ideja e imperativit që urdhëron dhe kërkon kualifikim ndaj dikujt për të qenë President, i paraprin në arrogancë idesë që Presidenti duhet të jetë njeri i letrave dhe individ kozmopolit. Ndërsa shpërfillja e "intelektualëve" tanë ndaj implikimeve ogurzeza të skalitura në lëndën e Doktoraturës së zonjës së parë, dhe në të kundërtën, merakosja e tyre me diskrepancën e titullit me bartësen (e tij), e gjitha si degë lumi e cenit dhe (i)legjitimitetit të bashkëshortit të saj për të qenë kokë unifikuese e trupit të shpërndarë, është edhe më shqetësuese. Sidomos ata politikanë përfaqësues (shpesh) me diploma në ekonomi dhe jurisprudencë, që nga piedestalet ekzekutive me fonde publike nëpër duar dhe kredi në kosh, na mbajnë ders të paturpshëm mbi keqpërdorimet neoliberaliste.
(Provizionalisht), dialogu Serbi-Kosovë është para së gjithash dialog i marrëveshjes së dyfishtë mes 1. Brukselit me Serbinë dhe 2. Brukselit me Kosovën. Përderisa raporti mes Brukselit dhe Prishtinës është raport Kreditor-Borxhli, ai mes Brukselit dhe Beogradit është raport Kreditor-Rrezik - rrezik potencial ndaj shlyerjes (së borxhit) përmes shkatërrimit të subjektit (të borxhit), pra, borxhlisë. Dhe larg nga të qenit projekt pajtues/stabilizues/integrues, dialogu i Brukselit është projekt financiar rrezik-menaxhues që funksionon përmes treshes: Kreditor-Rrezik-Borxhli. Treshe, mekanizmat e brendshëm (dhe kumulativ) të së cilës e tejkalojnë kllapinë e këtij teksti.
Borxhi moral i Kosovës ndaj Amerikës dhe shteteve të BE-së (së "shpëtimit humanitar"), borxh ndaj të cilit konsensusi kosovar deklarohet haptazi dhe njëzëshëm, nëpër manifestime monumentale dhe emisione çasti, në krye me elitat e partive të pasluftës, trashëgimtarëve "legjitimë" të origjinës së shtetit dhe kryesisë, është sinonim/bashkësubstancial me borxhin monetar ndaj ndihmave, investimeve dhe huasë, (mos)shlyerja infinite e së cilave mbetet e pandashme nga skllavëria infinite e shoqërisë (sonë), gjithmonë e koercuar me kërkesa që nuk kanë opsion në shkëmbim të koncesioneve sakatuese, përshkuar të gjitha rrafshet e jetës së shtetit të parë neoliberal në botë.
Çfarëdo narracioni tjetër, në strehën e moralizimeve ideologjike të sundit të ligjit, barazisë identitare dhe zhvillimit ekonomik, është narracion përçmues i diskursit tarollak, i gdhendur me daltën e fajit në trupin e qytetarit borxhli, qytetarit të Republikës së Borxhit, në krye të së cilës aparatusi policor është agjent në shërbim të, jo (vetëm) pushtetit të korruptuar, siç kumbojnë zërat e aktivizmit nga ekuivalenti kosovar i kabinetit hije, apo nga holli i sociologjisë këshillore për emancipim, por të (gjithashtu dhe në rend të parë), Fajdexhisë së Madh.
10 mars 2016
13:09