Përjashtuesi konsensual

04 mars 2016 02:01

Para ca ditësh lexova një artikull konsensual. Konsensual, sepse kishte të bëjë me botëkuptime të vetëkuptueshme. Më specifikisht, e argumentonte barazinë elektorale kundër jobarazisë identitare duke na kujtuar se paanshmëria e së drejtës universale të ligjit të shtetit nuk kishte vend për një ksenofobi përbuzëse të diskriminimeve të ligjit të komunitetit. Lexuesi mund të (mos) e vërente që ky ligj i barazisë së shtetit, që detyrimisht duhej ta iluminonte errësirën e ligjit të pabarazisë së komunitetit, funksiononte si mbulesë për një pabarazi tjetër, atë ekonomike.

Para se të jemi qenie elektorale, votues të barabartë sipas ligjit që nuk njeh persona, ne jemi qenie ekonomike. Sipas dokumenteve legal-politike votat tona janë të barabarta në numër, të gjithë e kemi (vetëm) nga një, por në fakt ato janë të pabarabarta në kosto. Dhe pikërisht sepse nuk janë të barabarta në fakt, ne vazhdojmë të vyshkemi në duart e një grushti oligarkësh plutokratë dhe akademikësh kriminelë. Vota e një studenti të varfër, (i varfër në kuptimin e dyfishtë të fjalës), që ushqyesit e ditës i merr përmes një byreku me djathë, përbërësit e kujt i rrëshqasin kontrollit të cilësisë, nuk mund ta ketë të njëjtën kosto me votën e, të themi, pronarit të "tregut të lirë" ELKOS, apo të drejtorit të "fjalës së lirë" Klan Kosova, të cilët, shërbimet shëndetësore i përballojnë nëpër spitalet e shteteve më të zhvilluara, gjithmonë të sigurt nga, bie fjala, rreziku i një komploti të organizuar kardiologjik.

Pra, nevojat e shtetit të papunësisë së paskajshme dhe punëtorët e varfërisë së skajshme mund t'i blesh me dhjetë euro, ose me një vend pune, shpesh ironikisht të panevojshëm për shërbimin publik, ose duke ua fshi borxhin në minimarketin e lagjes. Mbase ata, pas dy dekadash shtypjeje ekonomike, janë të blerë tashmë. Por pronarët e përfaqësuesve dhe biznesmenët e përfaqësimit janë një tregim krejt tjetër.

Do të mund të fillonim nga kundërshtimet në mes të të ndrydhurit dhe ndrydhësit, viktimës dhe xhelatit, gruas dhe burrit, qytetarit dhe katundarit, shoqërisë dhe pushtetit, opozitës dhe pozitës, e kështu me radhë, ose anasjelltas, e pse jo, bie fjala opozita xhelat, nën petkun e viktimës. Por jo! As kjo nuk do të ishte e "drejtë".

Ta marrim problemin empirik dhe mistifikues qe i fanitet ekonomisë për "disa", mirëqenies për "askë", përkatësisht atë të stratifikimit klasifikues që është katundar-qytetar, që herë i definon qytetarët si racistë arrogantë, ndërsa katundarët si viktima modeste të tjetërsuara nga të parët, një tjetërsim dëmtues ndaj vetes se tyre dhe tjetrit, e herë katundarët si shumicë zaptuese e uritur, e frikshme dhe fisnore, e sepse fisnore, gjithashtu jomeritore, e sepse jomeritore, gjithashtu të pakualifikuar, por që megjithatë mbisundon qytetarët minj, ca të fshehur nëpër qilarë, e ca nëpër vrima institucionale, domosdoshmërisht në shërbim të shtetit katundar.

Përjashtuese apo inkluzive, në të dyja rastet, pikënisja logjike, ose logjika e pikënisjes është e njëjtë: ose inkluzivizëm që fillon me përjashtim, ose përjashtim që fillon me gjithëpërfshirje. Herë inkluzivizëm përjashtues, herë përjashtim inkluziv. Por në të vërtetë, vetëm se herë njëri, e herë tjetri, e marrin rolin e përjashtuesit.

Si duket, "katundari" ynë, nuk është element demografik, gjeografik dhe kulturor, nga e kaluara e prapambetur gjithmonë në zgrip me progresin dhe të renë ? në të cilat e hedhin fajin, si pozita ashtu edhe opozita, si shteti ashtu edhe komuniteti, si Perëndimi ashtu edhe Ballkani, e kështu me radhë ? por vetëm një përjashtues i mileniumit të ri. Përjashtues i opinionit që do të duhej të formohej rreth asaj që në shtetin e kushtëzuar nga, në njërën anë fuqia e pasurisë financiare, dhe në tjetrën, menaxhimi i (pa)sigurisë, është gjithmonë në rrezik: mbijetesa e ideologjisë së vjetër në një pushtet të ri. Mbijetesa e ideologjisë, makina mbështetëse e jetës së kujt, bashkë me teknikët e vet, janë pjesë e pandashme e diskursit të kundërshtimeve dualiste, shkollave kualifikuese, partive klasifikuese dhe meritave historike.

04 mars 2016
02:01

Genc Kadriu