Kur neveria çohet në mbrojtje të neveritjes

23 shkurt 2016 13:30

Me u neveritë, para se me qenë agjendë politike asht reagim njerëzor. Të gjithë neveritemi prej ndokujt a ndojçkaje. Ambasadori amerikan, tue qenë ma së pari njeri, kishte të drejtë me u neveritë, bile nji numër i madh i këtij populli, tue qenë njerëz gjithashtu, iu bashkëngjitën në ndjenjën që pati ai, sepse lufta për pushtet që po na shfaqet para syve këto ditë, i ka tejkalue krejt kufijtë e mendjes së shëndoshë. Sot përplaset nji deputete për tokë, nesër ndoshta diçka “dahaaa” e ma keq, qysh thoshte gjyshja jem. E di që e keni t’vështirë me na besue, por disa prej nesh pëlqejmë paqen para krejt tjerave dhe të keqen nuk ia duem as anmikut. Disa prej nesh besojnë që me dhunë nuk mbërrihet kurrgja, veç ma shumë dhunë. E disa të tjerë, thjesht s’po ju besojmë asnjanit, në kurrgja. Por, prapë nuk ju dëshirojmë asnji të keqe, veç shpresojmë që ju e kuptoni që na veç prej mendjes tuej, s’mundemi me ju shpëtue.

Për me u kthye te neveritja, unë p. sh. neveritem prej statuseve të nji kryeministri në Facebook, ku ai me nji logjikë të nji kafshe primitive kapërcen krejt kufijtë e të qenit thjesht veç i neveritshëm. Për hatër të korrektësisë politike, po e quej thjesht: kryeministri që bahet lopë. Sepse, vetëm si lopë ai mundet me e kuptue natyrën e kullotjes së fondeve, për të cilat flet me aq kompetencë. Ndoshta si njohës i mirë i politikës totalitare ai gjithashtu po do me na tregue që ka kompetencë të madhe me e ditë se ku asht Korea e Veriut, e cilat gra takojnë atje (mbasi Kuba nuk po i pranueka).

Sidoqoftë, unë gjithashtu neveritem prej thojzave patetike. Kisha dashtë me i thanë kryeministrit, e sigurt që po foli në emën të shumë lopëve në Kosovë, pardon grave, se pavarësisht që në këtë dyluftim të dyshimtë të pushtetit me opozitën, nji numër i konsiderueshëm i njerëzve nuk e përkrahë asnjanën, ai le të jetë i sigurt që ata janë tue pa e tue ndi, e përderisa politikisht janë të paanshëm, kjo nuk do me thanë që s’kanë mendim, e me qenë politikisht i paanshëm, nuk do me thanë me qenë neutral. Nuk do me thanë me qenë politikisht i verbët. Neutraliteti asht krim. Ndëshkimin ia njohim ma së voni prej Luftës së Dytë Botnore.

Kisha dashtë me i thanë kryeministrit, mos me ndërtue shpresa në neutralitetin e njerëzve të urtë. Asnjani s’jemi neutralë, jemi jopartiakë ndoshta, jemi ideologjikisht të paanshëm ndoshta, jemi besa edhe të pasigurt, kemi dyshime, por nuk jemi neutralë. Jemi tue e ditë shumë mirë i kujt asht bishti që po na çnjerëzon çdo ditë. E nëse vjen dita ndokush me e lëshue Kosovën, e nëse Kosova vazhdon me mbetë në duer të tij kjo duket si mundësi e paevitueshme, sepse prej Kosovës s’ka me mbetë shumë, kisha dashtë me e lutë kryeministrin mos me u “shqetësue” se bishtin kemi me ia lanë në prag të derës me mbishkrimin modest “ktheji Cezarit, çka i takon Cezarit”.  Por deri atëherë, kemi me ndejtë këtu, me kërkue përgjegjësi prej atyne që kullotën Kosovën derisa e shterrën. Me bishta ose pa bishta.

Kisha dashtë me i thanë z. kryeministër, ju mundeni me i respektue sa të doni SHBA-të, por SHBA-të që respektoj unë, juve nuk ka shansë me ju respektue, sepse në botën e tyne ju jeni definicioni i antivlerës. Ju jeni versioni mediokër i Donald Trump-it. Të tillët, SHBA-të i përtypin për argëtim të dhambëve dhe tani i pështyjnë.

Martin Luther King, Jr., pat thanë nji herë se ”në botë nuk ekziston kurrgja ma e rrezikshme se injoranca e pastër dhe budallallëku i vetëdijshëm”, kisha dashtë me i thanë z. kryeministër, veç për me i tregue që unë di sinqerisht me i respektue amerikanët.

Me gjithë respekt,
nji lopë e Kosovës. 

23 shkurt 2016
13:30

Ardiana Shala Prishtina