22 shkurt 2016
12:21

Keqtrajtimi fizik nga policia që i është bërë deputetes opozitare Albulena Haxhiut ditë më parë në hollin e Kuvendit, është vazhdimësi e dhunës verbale që i është bërë asaj më herët nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Dhuna sjell dhunën. Shpeshherë, para se dhuna të shfaqet në formë fizike, ajo paraprakisht shfaqet në formë verbale. Kur kryetari i Kuvendit i drejtohet në mënyrë vulgare një deputeteje (apo deputeti), ai nxit në mënyrë të drejtpërdrejtë ata që pranojnë urdhër institucional, ta trajtojnë atë si inferiore.
E pse çuditemi që një deputete keqtrajtohet institucionalisht e linçohet publikisht kur Kryeministri i vendit Isa Mustafa është Kryepatriarku i kësaj shoqërie e mendësie patronizuese?! Ai, ditë më parë ofendoi gratë përmes një komenti në Facebook, të cilin pasi e kritikuan, e modifikoi dhe dëshmoi që nuk ka guxim t’i qëndrojë e mbrojë ato që i shkruan në një rrjet social, i cili do të duhej të jetë mjeti më efektiv i komunikimit në mes tij dhe qytetarëve të vendit.
Secili koment, pohim e reagim vulgar nga qeveritarët nuk duhet injoruar. Ato po sjellin dhunë konkrete, sikurse në rastin e deputetes Haxhiu, e po e mbështesin misionin popullist e përçmues të disa mediumeve që të manipulojnë me informacion e imazhe. Pra, diskursi i dhunshëm politik po e legjitimon gjuhën vulgare dhe joetike të medieve, e mediet përmes raportimit po e legjitimojnë sidomos dhunën ndaj grave.
Por përtej korrupsionit, standardit të ulët jetësor dhe afro 17% e popullsisë në varfëri të skajshme, krimit të organizuar, mungesës së sigurisë dhe mirëqenies shoqërore, emigrimit, dhunës e pakënaqësisë, ndoshta dëmi më i madh që klasa politike po i bënë këtij vendi është që po na bën cinikë. Askush nuk po beson në askënd, përpos grupit të tij apo saj. Nxitemi të besojmë që askush nuk punon me dinjitet, askush nuk kontribuon me sinqeritet, të gjithë janë të njëanshme e gjithçka ka standarde të shumëfishta.
Të pesë qeveritë që kanë gëzuar privilegje përgjatë pesë mandateve na e kanë rritur pabesinë çdo herë e më shumë, jo vetëm në institucione qeveritare e publike, por edhe në sektore të tjera e në individë që merren me një punë e një veprimtari të caktuar. Për shembull, feministet dhe organizatat e grave që nuk reaguan brenda orëve për rastin e Haxhiut u kritikuan për njëanshmëri, për abuzim me fonde e josinqeritet në parimet e tyre për të drejta dhe mirëqenie të grave. Si për Kryeministrin, si për qytetarët burra e gra, kush është targeti më i lehtë për kritikë e poshtërim? Gratë! Jo qeveritarët e zyrtarët publikë, jo mediet dhe jo policia e Kosovës, por gratë.
Për komedianin George Carlin, cinik/e është një idealist i zhgënjyer; për dramaturgun Oscar Wilde, cinik është një person që e din çmimin e çdo gjëje por vlerën e asgjëje; ndërkaq për shkrimtaren Maria Popova, cinizmi është mekanizëm vet-mbrojtës (por i metë) kundër rrezikut që i kanoset të mirës. E tek ne, cinizmi si kulturë komunikimi e reagimi është rezultat i kaosit politik dhe mediatik. Por kjo frymë ngulfatëse e verbëruese, po na shkakton humbje të respektit dhe empatisë për njër- tjetrin, dhe po vazhdon ta pengojë zhvillimin e një komunikimi të mirëfilltë në të mirë dhe interes të publikut.
22 shkurt 2016
12:21