Pluralizëm apo polarizim politik

22 shkurt 2016 10:08

Një nga atributet qenësore të demokracive është sistemi shumëpartiak, pra pluralizmi, i cili krahas ekzistimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme përbën faktor kyç në sigurimin e legjitimitetit politik të vendit. Numri i partive dhe forca e tyre politike janë, përveç tjerash, edhe indikator të shpërndarjes së pushtetit në një sistem politik, siç pohonte shumë më herët Giovanni Sartori. Nëse i përmbahemi kështu kategorizimit sipas Sartorit, sistemi partiak deri më tani do të mund të konsiderohej si pluralizëm i moderuar. Kjo për shkak se të gjitha partitë politike ose ishin të gatshme ose u futën në koalicion me njëra tjetrën. Gjithashtu nuk ekzistonte ndonjë diskrepancë e madhe ideologjike ose programore e cila do ta përjashtonte bashkëqeverisjen eventuale mes tyre. Partitë politike më shumë dallonin për nga prejardhja regjionale e liderëve partiak sesa për nga profilizimi, përfaqësimi i shtresave shoqërore apo kauzat që ata mbronin.

Polarizimi i ashpër pas-luftës në mes të krahut militant dhe krahut pacifist, me lidhjen e koalicioneve gati të vazhdueshme mes këtyre poleve tashmë i ka zhdukur apo zbehur dukshëm këto dallime. Ndërkaq rivaliteti i kohëve të fundit mes pozitës dhe opozitës, duket fillimisht se po sjellë një polarizim të ri në skenën politike. Mirëpo, nëse e kemi parasysh historikun dhe aktorët politik rreth së cilës po luhen dramat e po behën betejat politike, mund të thuhet se ky polarizim nuk po ndodhë për shkaqe parimore, programore, ideologjike apo madje as ‘patriotike’.

Për më shumë, antagonizmat retorike e simbolike mes liderëve partiak, nuk po reflektojnë edhe në çarjet socio-politike të masës, përkundër propagandës së pandalshme, pasi që besueshmëria dhe legjitimiteti i klasës politike është tepër i ulët. Së këndejmi sistemi politik në Kosovë, është marrë peng nga partitë e feudalizuara, të cilat janë duke e krijuar artificialisht një pluralizëm të polarizuar, ku në vend të garës demokratike për ide, vizione e programe qeverisëse më të mira behën përndjekje, burgosje, etiketime, bojkotime dhe kërcënime nga më të ndryshmet.

Kjo në demokracitë e mirëfillta nuk ndodh. Prandaj, ky polarizim është artificial sepse nuk po sjellë bashkëbisedim, nuk po len hapësirë për kompromise dhe përfshirje. Por, duke ashpërsuar gjuhën e urrejtjes dhe përjashtimit, kjo klasë politike vetëm se po dëshmon çdo ditë e më shumë, se nuk e ka të drejtën të flas në emër të popullit e aq më tepër të veproj[ në emër të tij. Dhe ky lloj polarizimi është i dëmshëm sepse po e rrezikon seriozisht pluralizmin politik aq të rëndësishëm për demokracitë ende të pakonsoliduara, si kjo e jona. Polarizimi i tillë është i rrezikshëm edhe për shkakun se ngulfat pluralizmin e mendimeve, ideve dhe opsioneve që dalin përtej kornizave partiake të njërës apo tjetrës palë. Përfundimisht polarizimi i krijuar, më shumë nga përplasja e interesave sesa e koncepteve e vizioneve të këtyre liderëve, nuk po ofron shpresë se qytetari do të jetoj më mirë, më i lirë e më qetë nesër. Një brez i ri politik me mendësi të hapur e shpresëdhënëse i duhet më shumë se asgjë tjetër këtij vendi tani. Jo shumëfishime partiake me të njëjtat qëndrime, sjellje e mendësi politike.

22 shkurt 2016
10:08

Bekim Baliqi