02 shkurt 2016
10:39

Qytetari aktiv i Kosovës është aktiv në rrjete sociale dhe në kafiqa. Unë jam njëri prej tyre: Ankohem për faturën e rrymës, për standardin e jetës, për ambientin e ndotur, për gjendjen e rrugëve, për këstin e lartë të kredisë, për mungesën e një vendi me kopsht publik për fëminë tim, për nepotizëm dhe mundësitë jo të barabarta në gjetjen e një vendi të punës, për mungesën e një vendparkingu... Nga frustrimi im personal lind edhe më shumë frustrim kur atë e ndaë me ty, dhe kur ti frustrimin tënd e ndan me mua. A thua kemi vetëm kaq për të dhënë si qytetarë?
Në vende demokratike qytetari luan rol aktiv jo vetëm duke marrë përgjegjësitë që i takojnë, siç shkruan Dita Dobranja në shkrimin e saj “Tastaturë e kaci”, por qytetari aktiv duhet të jetë ai që e mbush demokracinë me jetë. Qytetari aktiv është ai që luan rol vendimtar duke kërkuar llogari por edhe duke ndërmarrë iniciativa, qoftë në rrethin ku jeton, qoftë përmes deputetëve që i ka votuar apo përmes shoqërisë civile për të sjellë ndryshime të politikave që atë e prekin si qytetar, si tatimpagues.
E këtu nuk e kam fjalën për çështje madhore, siç janë marrëveshjet ndërkombëtare apo për ndonjë pretekst, por për ndryshime të politikave lokale apo për sjelljen e politikave të reja përmes nismave, peticioneve, kërkesave e ankesave me shkrim. Iniciativa të tilla që në dukje mund të jenë të vogla, por që kanë ndikim të madh në përmirësimin e jetës sonë.
Kur ka qenë hera e fundit që ti ke ndërmarrë diçka si qytetar? Dhënia e votës një herë në katër vjet nuk vlen. Pse nuk e kanalizojmë frustrimin dhe idetë tona për ndryshime të ligjeve e të politikave me mjetet që neve na takojnë si qytetarë? Ti dhe unë së bashku?
A nuk po ankohemi që qytetari aktiv mungon në shoqërinë tonë? A nuk jemi edhe ne ata qytetarë? Sikur jemi në pritje që dikush tjetër të veprojë për ne: Presim që politika të vendosë për ne. Presim që shoqëria civile të angazhohet më shumë për ne. Presim që ndërkombëtarët t’i qortojnë politikanët pak më shumë, që ata të punojnë në interesin tonë. Presim, që ndërkombëtarët ta financojnë shoqërinë civile pak më shumë që ata të angazhohen për ne. E ç’bëjmë ne? Ne vazhdojmë të presim e të ankohemi. Ankesat rrallëherë i qesim në letër dhe edhe më rrallë i adresojmë.
Kur ka qenë hera e fundit që i ke shkru KEDS-it për faturën e rrymës e që ke parashtru kërkesë me ardhë me ta lexu prapë orën e rrymës? Kur i ke shkru inspektoratit të punës që punëdhënësi yt nuk e zbaton kontratën tënde e as ligjin e punës? Kur e ke lajmëru në inspektorat që farmacisti në barnatore ta ka dhanë një antibiotik me afat të skaduar dhe pa përshkrim të mjekut? Kur e ke denoncu policin që ta ka ndalë automjetin edhe të ka pyetë nëse je “e fejuar” apo nëse ka dashtë me ta falë kundërvajtjen në komunikacion, nëse ia blen një burek?
E kam shumë të qartë se çfarë po mendon tani: Sistemi është i korruptuar edhe nuk mundesh me arritë asgjë, as me ankesa dhe as në gjyq. Kështu që nuk ia vlen me u anku.
Po pse nuk po provojmë ta ndryshojmë këtë sistem, si qytetarë aktivë? Me ankesa me shkrim, me denoncim të korrupsionit – vetëm kështu mund ta përmirësojmë sistemin. E kush po na ndalë që të organizohemi e të veprojmë si qytetarë aktivë?
Pse nuk bashkohen prindërit që të kërkojnë ngritje të cilësisë së edukimit në shkolla? Kundër nepotizmit e për meritokraci?
Pse nuk inicojmë e nënshkruajmë peticione për hapjen e më shumë kopshteve publike, në veçanti në qytete ku nuk ka asnjë kopsht për fëmijë?
Pse nuk dalin gratë dhe burrat (jo vetëm nënat e baballarët), që ta tregojnë pakënaqësinë e tyre me propozimin për shkurtimin e pushimit të lehonisë? A do ta pranojmë çdo ndryshim që na jepet, pa kundërshtime?
Pse nuk e ngrisim zërin për mosrespektimin dhe moszbatimin e ligjit të punës nga ana e punëdhënësit? Pse nuk ankohemi me shkrim te inspektoriati i punës? Pse nuk i denoncojmë shkeljet përmes mediave?
Pse nuk ka nisma për heqjen e TVSH-së nga produktet për fëmijë e foshnje? Ligji për TVSH do të ndryshohet sërish. Tani është koha!
E pse nuk ka nisma që të ketë sanksione më të rënda ndaj atyre që bëjnë kundërvajtje në komunikacion? Për siguri më të madhe në komunikacion?
Edhe sa këmbësorë e çiklista duhet ta humbin jetën deri sa të ndodhë diçka?
Qytetari aktiv je ti dhe unë. Të sjellim ndryshime pozitive së bashku, me shoqërinë tonë, me familjen, me rrethin ku jetojmë - për të mirën tonë.
02 shkurt 2016
10:39