UP-ja nuk na befason

01 shkurt 2016 20:56

Përtej debatit se a është i pëlqyeshëm ose jo rezultati i zgjedhjeve brenda UP-së, një debat i munguar por edhe më bazik është mbi atë se sa adekuat është procesi aktual i zgjedhjeve për pozita udhëheqëse brenda një universiteti publik në Kosovë.

Mënyra e tashme e zgjedhjes së stafit në pozita ekzekutive brenda UP-së nuk jep hapësirë për llogaridhënie (me pak përjashtime) përtej shkëmbimeve të favoreve me grupe të dyshimta brenda dhe jashtë UP-së. Në këtë mënyrë si zgjidhen sot dekanët mund të zgjidhen kryetarët e sindikatave të punëtorëve por jo personat që do të duhej të siguronin udhëheqje cilësore.

Tash për tash, dekani ankohet se ai nuk vendos por vendos Këshilli i Fakultetit të tij, Këshilli ankohet se vendimet i merr Senati, Senati e bën gishtin kah rektori, kurse ky kah Senati e Këshilli Drejtues dhe në fund këta të fundit, në një rreth vicioz që nuk garanton efikasitet në udhëheqje, prapë e kthejnë topin në terrenin e fakulteteve dhe të Senatit. Diku në këtë mes paraqitet edhe Ministria e Arsimit. Fatkeqësia është se kjo është edhe historia e vendit tonë në shumë institucione publike, të paktën qe 17 vite -- gishta të orientuar kah njëri-tjetri e mungesë e transparencës dhe llogaridhënies.

Në vend të kësaj, ajo që do të duhej të ndërmerrej është krijimi i një infrastrukture ligjore që jep kompetenca për individët në udhëheqje por edhe që u kërkon llogari atyre. Këshilli Drejtues duhet të ketë kompetenca mbikëqyrëse dhe për ta zgjedhur rektorin -- ky Këshill do t'i përgjigjej universitetit dhe Qeverisë sepse universitetet në fjalë janë publike dhe financohen nga taksapaguesit kosovarë. Rektori (ose rektorja) do t'i emëronte dekanët, pas konsultimit me fakultete. Në rast se do të kishte dështime, varësisht se ku ka ndodhur problemi, do të kërkohej dorëheqja ose shkarkimi i dekanit, rektorit, anëtarëve të Këshillit Drejtues ose Ministrit. Pra, do të ishte e lehtë të identifikohej problemi në udhëheqje. Edhe nën këtë skenar do të kishte trupa kolektive si Senati dhe Këshillat e Fakulteteve që zgjidhen nga stafi dhe studentët.

Me keqardhje më duhet të konstatoj se ata që befasohen nga rezultatet e zgjedhjeve brenda UP-së nuk e njohin UP-në. Kurse ata që mendojnë se UP-ja duhet të funksionojnë si një lloj parlamenti i një shteti të pavarur nuk e kuptojnë as rolin e botës akademike e as të demokracisë parlamentare.

UP-ja nuk është shoqatë nderi e as shoqatë shkrimtarësh, por institucion i arsimit, në fakt më i rëndësishmi në Kosovë, dhe autonomia e saj nuk ka kuptim të shtrihet në autonomi për keqpërdorime. Ka ardhur koha që gjërat të vihen në binarë në arsimin e vendit tonë sepse veç po i vërejmë pasojat e dështimeve kolosale që nga paslufta.

Në projektligjin e ri të Arsimit të Lartë ka hapa nën këtë frymë, por duhet të forcohet edhe më tej parimi i dhënies së kompetencave dhe i shtimit të mbikëqyrjes e llogaridhënies.

01 shkurt 2016
20:56

Qëndrim Gashi