Censura na pamundëson që ta adresojmë injorancën tonë

07 janar 2016 23:24

A ishte grafiti me presidenten Jahjaga seksist?

Pa dyshim se po. Sepse autori apo autorja e grafitit e portretizoi presidenten të zhveshur, duke i shfaqur tiparet e seksit të saj, që s'kanë lidhje me punën të cilën ajo e bën. Ky ishte një ilustrim tipik i mënyrës se si imagjinata e burrave në shoqërinë tonë thellësisht patriarkale i redukton gratë qoftë në objekte seksi apo në shtëpiake, pa marrë parasysh se me çka ato merren apo çfarë karakteri kanë.

Portretizimi i tillë nuk ishte gjykim dhe kritikë për gabimet e saja në punë, por e vuri në qendër të thumbimit gjininë e saj.

Mos e keni parë ndonjë grafit apo karikaturë me burra politikanë në të cilin këta te fundit shfaqen duke i treguar organet e tyre gjenitale? Jo, natyrisht. Kadri Veseli këto ditë u portretizua nga një grafit si Toni Montana, e jo si personazh striptizi që e josh kureshtjen e grave me atë që fsheh pas brekëve.

Por a ishin të drejta thirrjet për ta censuruar grafitin me Jahjagën? Pa dyshim se jo.

Sepse fiks para një viti shumë prej nesh u solidarizuam me revistën Charlie Hebdo, pikërisht në mbrojtje të lirisë së shprehjes.

Sepse grafiti nuk përbente kërcenim apo thirrje për linçim ndaj personit publik. Sepse në fund të fundit në një shoqëri përparimtare lakuriqësia nuk do të duhej të ishte punë turpi dhe denigrimi. I turpshëm në fakt mbetet vetëm turpi i shoqërisë sonë hipokrite ndaj lakuriqësisë, të cilin po e nxjerr sheshit popullariteti i atyre qindra fotografive me gra të zhveshura që qarkullojnë në portale.

Sepse ashtu si në rastin e skeçit të Stupcave i cili ngjalli debat kombëtar, grafiti i Jahjagës na mundësoi që ta kemi këtë diskutim mbi seksizmin dhe lirinë e shprehjes, dhe që ta shohim dhe kuptojmë vetën për atë që jemi – një shoqëri e boleve të mykura, që është poshtëruese pa masë ndaj rolit të grave në publik, aq sa nuk është në gjendje as ta kuptojë se çfarë në të vërtetë do të thotë fjala seksizëm.

Grafiti e bëri të dukshëm seksizmin tonë, njëlloj siç reagimet e këtyre ditëve ndaj këngëtares së talentuar Linda Halimi për burrin e saj të racës së zezë, e nxorrën në shesh racizmin tonë të thellë dhe primitiv.

Duhet të kuptojmë se liria e shprehjes ka vlerë jo vetëm për shkak se i mundëson kritikës dhe kreativitetit që të provokojnë dhe ndriçojnë shoqërinë, por edhe për shkak se i mundëson injorancës dhe budallakisë që të dalin në dritë dhe të mos mbeten të fshehura nën qilim.

Kështu, duke i nxjerrë gjërat në dritë të diellit, injorancën tonë do të mund ta kuptojmë më mirë dhe dikur, përmes reagimeve dhe debateve tona publike, edhe injoranca do ta kuptojë injorancën e vet.

07 janar 2016
23:24

Agon Maliqi