14 dhjetor 2015
13:10

Vetëm 13% përdorin metoda moderne kontraceptive, kështu thotë anketa MICS e UNICEF-it dhe Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Pra, 87% nuk përdorin fare kondoma apo metoda tjera moderne kontraceptive. Duke i ditë rreziqet për sëmundjet seksualisht të transmetueshme që kanosen nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura kjo shifër është bukur shqetësuese.
Me këtë statistikë tash po ndeshet lajmi i fundit që në Kosovë ka shumë pak të prekur nga virusi HIV. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Kosova hyn në vendet me më së paku qytetarë të prekur nga HIV.
Edhe pse 87% të qytetarëve nuk mbrohen, deri më tani në vitin 2015 paskemi vetëm 4 raste të reja të regjistruara me HIV. Veç 4! Dyshoj të jetë kështu, sepse nuk duket shumë e logjikshme: Ose qenkemi shumë të shëndetshëm, "imun" e besnikë, ose kemi frikë të testohemi sepse e dijmë që stigmatizohemi menjëherë, se informata për rezultatin nuk mbetet sekret.
Disa kanë problem serioz me konfidencialitetin. E shkelin atë me të dyja këmbët. Nuk mbahet përgjegjësi për mbrojtjen e fshehtësisë së punës apo për mbrojtjen e të dhënave konfidenciale. E mos të flasim për respektim të privatësisë.
Në kohën e Enver Hasanit vendimet e Gjykatës Kushtetuese dilnin në media, para se të bëhej publik vendimi.
Gjatë bastisjes së një shtëpie të njohur publike në Prishtinë, prokurori dhe hetuesit e vërejnë që "menaxheri" i bordelit ka qenë në dijeni për bastisjen, sepse e ka izoluar tërë dyshemenë me gazeta, që policët mos t'ia përlyejnë atë me këpucë.
Anëtarët e Policisë së Kosovës në kafene gjykojnë nivelin e pastërtisë së banesave që i bastisin.
Gazetari që përcjellë punën e policisë, i informon të dyshuarit për kohën e mundshme të bastisjes.
Djali i gjinekologut rrëfen para klasës për rastet më interesante të babasë së tij, duke përfshirë edhe abortet.
Mjeku ta tregon komplet historinë e pacientit paraprak.
Gazetari zbulon identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur.
Lexues/e i/e dashur, a të kujtohen raste tjera? Lista do të mund të plotësohej pafundësisht....
E pastaj mos të çuditemi pse nuk besojmë që të dhënat mbesin konfidenciale, e pse statistikat i kemi joreale.
14 dhjetor 2015
13:10