Të 16-at

11 dhjetor 2015 13:00

Në ritet tradicionale shqiptare është edhe përkujtimi i atyre që ikin në amshim pas 40 ditësh. Asociativisht, përkufizimi i një fushatë në mbrojtje të të drejtave të grave në 16 ditë, në njëfarë mënyre po e përcakton statusin e diçkaje që nuk ekziston. Sikurse përkujtimi për mort, njësoj ky pretendim për 16 ditë aktivizim, gjithherë po merr përmasa të njëfarë formaliteti për të bërë diçka secilin vjet me të njëjtën përmbajtje, teksa statistikat po godasin vazhdimisht ambicien, e cila mund të jetë fisnike që së paku në mos me gjë tjetër, gratë të mbrohen qoftë edhe deklarativisht përgjatë një dyjavëshi.

Dy javë më parë u publikua Komentari i Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje. Në të gjitha prezantimet publike njerëzit e shtetit lavdërohen për kornizë ligjore konform standardeve të BE-së, porse funksionimi i saj në praktikë tregon pamjaftueshmërinë e posedimit të ligjeve të mira kundrejt mekanizmit ekzekutiv të dobët.

Një rast i vrasjes së gruas nga burri, i ndodhur muaj më parë në Suharekë, shpërfaq ndeshjen ndërmjet ligjit dhe mekanizmave ekzekutiv.

Alarmin për dhunë sistematike, kjo grua e kishte dhënë që herët, por Policia dhe Gjykata si mekanizma ekzekutiv dështuan që ta mbrojnë jetën e saj.

Kësisoj, statistika ndryshojnë çdo vjet, e numri i grave që i nënshtrohen dhunës në familje rritet çdo herë. Në sfond, me ritmin funebre, politika përsëritë aktivitetet e thirrjet për mbrojtjen e tyre. Sakaq ligji harrohet, ngase po të funksiononte ai, numrat do të zvogëloheshin, ashpërsia e shtetit kundrejt veprimeve kësisoj do të rritej e bashkë me të edhe vetëdija e të dhunuarve që aktin kësisoj të mos e trajtojnë në suaza kanunore.

Të dhënat e policisë flasin se për çdo vjet, numri i grave ndaj të cilave ushtrohet dhunë në familje rritet për nga 100. Më 2014, në organet e rendit janë denoncuar 1200 raste, teksa statistikat për sivjet ende nuk i janë bërë të njohura publikut. Pandan këtij numri alarmues, fushata, apo deklarimet e kortezisë së qeveritarëve se ligji është perfekt, hedhin poshtë çfarëdo pretendimi, sepse ligji bëhet për të funksionuar, e nëse nuk e kryen këtë mision, atëherë u hyn në punë vetëm administratorëve.

Kësisoj, të drejtat e njeriut nuk po jetësohen në mënyrën tonë të të jetuarit, porse ky koncept po mbetet vetëm një dokument politik, prapa të cilit qëndron padrejtësia. Politikanët kanë përvetësuar disa koncepte të rëndësishme siç janë “të drejtat e njeriut” apo “barazia gjinore”, vetëm sa për t`i hapur vetes një shteg të ri të fushatës së tyre promovuese, respektivisht për ta pasuruar aspektin gjuhësor të vobektë.

Duke përmendur nocionet që në njëfarë mënyre determinojnë shfaqjen e dhunës në familje, si “papunësia”, “varfëria”, “korrupsioni”, apo “diskriminimi”, esenca moralizohet, teksa, konceptet e mësipërme servilizohen nga retorika politike, ndaj në Kosovë jetohet tepër më zor se sa mund ta përkufizojnë këto terme.

Promovimi i këtyre parimeve në nivel deklarativ dhe tendenca për pronësim të disa çështjeve që kategorizohen si “të drejta njerëzore” apo “barazi gjinore”, i ka shndërruar ato në instrumente marketingu.

Përgjegjësitë e politikanëve nuk janë vetëm deklarimet e tyre, por puna e çdoditshme që ata/ato bëjnë për të garantuar dhe zbatuar këto të drejta.

Nuk paraqet lajm me rëndësi për publikun, nëse çdo vjet, përgjatë fushatave kundrejt dhunës në familje të përsëritet se kemi një legjislacion konform direktivave të Bashkimit Evropian, prandaj është koha që politikanët nga fjala hyrëse të kalojnë në esencë që do të prodhojë rezultatet të dukshme për publikun, të cilat manifestojnë mbrojtjen praktike të viktimave të dhunës në familje.

Prandaj, fjongoja e bardhë si simbol antidhunës në familje me gjasë po ju duket e tillë vetëm njerëzve të pushtetit. Në fakt fjongoja është e zezë, derisa kronika e zezë mediale dominohet nga rastet kësisoj, kurse numëratorja e akteve kriminale ndryshon çdo ditë shifrat me të të dhunuarave në familje, e të cilave as Ligji s`mund t`u kryejë punë.   

11 dhjetor 2015
13:00

Sibel Halimi