A po rrëshqet Kosova drejt autoritarizmit?

09 dhjetor 2015 16:55

Çfarë emri t’i vihet regjimit politik në Kosovë? Sigurisht, një regjim që nuk implemeton ligjin (ose e implementon atë selektivisht), toleron korrupsionin në nivelet e larta, që nuk ka një ekonomi të qëndrueshme dhe që, tash së fundi, burgos deputetët e opozitës, nuk mund të quhet demokraci.

Sipas disa vlerësimeve, Kosova nuk ka qenë asnjëherë demokratike. Raporti vjetor i 2015-ës i organizatës Freedom House, Nations in Transit(“Kombet në Tranzicion”) klasifikon Kosovën si “regjim të gjysëm-konsoliduar autoritar”. Është i vetmi në rajonin e Ballkanit dhe në Evropën lindore, ku dominojnë “demokracitë e konsoliduara” (si Polonia e Sllovenia), “demokracitë e gjysëm-konsoliduara” (si Kroacia e Rumania) dhe “regjimet hibride” (si Shqipëria dhe Maqedonia). Si “regjim i gjysëm-konsoliduar autoritar”, Kosova krahasohet me shtetet post-sovjetike si Azerbejxhani dhe Kirgistani, dhe tejkalohet vetëm nga Rusia e Bjellorusia që klasifikohen si “regjime të konsoliduara autoritare”.

Por, të quhet një regjim “i gjysëm-konsoliduar autoritar” nuk na jep edhe qartësi konceptuale se çfarë forme regjimi është ky. Ç’është një regjim autoritar, por i pakonsoliduar? Dhe, çfarë t’i themi ekzistencës së institucioneve formale të demokracisë, si pluralizmit partiak, zgjedhjeve, mediave që ruajnë pavarësinë nga pushteti, një gjyqësori formalisht të pavarur, etj.? Për këtë konsideroj se është mirë t’i kthehemi kontributit të politikologëve Steven Levitsky dhe Lucan Way, që në një artikull të vitit 2002 propozuan konceptin e “autoritarizmit kompetitiv” (competitive authoritarianism) për të përshkruar regjimet hibride të vendeve ish-komuniste që nuk u demokratizuan, por as nuk u kthyen në diktatura klasike. Ç’është autoritarizmi kompetitiv? Autoritarizmi, sipas Levitsky dhe Way, është një diktaturë klasike. Aty sundon një parti ose një autokrat; shprehja e lirë shtypet (mediat kontrollohen nga pushteti, nuk lejohen organizime të pavarura politike), nuk ka gjyqësor të pavarur dhe nuk ka as zgjedhje. Autoritarizmi kompetitiv, ndërkaq, kombinon elemente të autoritarizmit klasik por brenda një kornize formalisht demokratike. Regjimet autoritare-kompetitive legjitimohen përmes zgjedhjeve që formalisht janë të lira, lejohen organizimet opozitare, madje edhe tolerohet shprehja e kundërshtive ndaj pushtetit. Mirëpo në aspektet tjera, klasa sunduese përdorë mjetet që i ka në dispozicion si rrjedhojë e kontrollit të pushtetit, për të shtrirë kontrollin dhe ndikimin mbi institucionet publike, mbi ekonominë, mbi gjyqësinë dhe mbi mediat. Siç shkruajnë Levitsky dhe Way, në këto lloj regjime, 

pushtetmbajtësit në vazhdimësi keqpërdorin burimet shtetërore, i mohojnë përfshirje mediale opozitës, keqtrajtojnë kandidatët opozitarë dhe mbështetësit e tyre dhe në disa raste edhe manipulojnë me rezultatet e zgjedhjeve. Gazetarët, politikanët e opozitës dhe kritikët tjerë të qeverisë i nënshtrohen spiunimit, keqtrajtimit, kërcënimit ose arrestimit. Pjesëtarët e opozitës mund të burgosen, të detyrohen të arratisen nga vendi, ose, në disa raste më të rralla, të sulmohen e të vriten. (fq. 53).

Dallimi pra qëndron në faktin se në autoritarizmin-kompetitiv institucionet demokratike nuk janë thjeshtë një fasadë për pushtetin. Në regjimet autoritare-kompetitive opozita ekziston dhe është gjer në një shkallë të caktuar, e lirë të veprojë dhe kundërshtojë pushtetin. Mirëpo dominanca e pushtetmbajtësve mbi shtetin u jep atyre një epërsi të madhe në ruajtjen e pushtetit dhe dobësimin e opozitarizmit, qoftë përmes presioneve e shtantazhit, qoftë përmes kooptimit. 

Sipas Freedom House-it, mbase Kosova në muajt dhe javët e fundit mund të quhet një vend që po rrëshqet nga një regjim i gjysëm-konsoliduar autoritar në një të konsoliduar. Por, mendoj se nga pikëpamja e konceptit të Levitsky dhe Way, ajo që po vështrojmë në Kosovë është pjëse e funksionit “normal” të një regjimi autoritar-kompetitiv. Në këtë kontekst, sulmet dhe presioni mbi opozitën përbëjnë veprim strategjik nga ana e pushtetmbajtësve. Në një regjim të plotë autoritar, pushteti do të mund vepronte në rrethana si këto me masa që ndalojnë opozitën në tërësi, siç ndodh p.sh. në diktatura ushtarake. Për arsye të ndryshme, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodh në Kosovë. Regjimi ka nevojë për institucionet formale të demokracisë dhe për pjesëmarrjen e opozitës në to, për ta ruajtur legjitimitetin e saj (më shumë se atë të brendshëm, atë ndërkombëtar). Për këtë arsye, kur sfidohet nga një opozitë që nuk mund të blihet e kooptohet, ajo kalon në përdorimin mjete “ligjore” për të zbatuar presion tek opozita, por nuk mund të shkojë në atë masë sa që ta eliminojë atë tërësisht.

Në autoritarizëm-kompetitiv, edhe mundësitë për kompromis janë më të vogla. Në demokraci, ndërrimet e pushtetit konsiderohen ngjarje normale; në autoritarizëm-kompetitiv, humbja e pushtetit paraqet kosto të rëndë për pushtetmbajtësit. Për pushtetmbajtësit, humbja e pushtetit nuk ka vetëm kosto politike, ajo ka edhe kosto ekonomike, madje edhe personale (në kuptimin që rënia nga pushteti mund të pasojë edhe me humbje kontrolli mbi resurse të rëndësishme, humbje të mbrojtjes politike dhe përndjekje ligjore etj.). Për shkak të kësaj kostoje të lartë të humbjes, çdo ndërveprim me opozitën, pushteti e kupton si një lojë të fitoreve dhe humbjeve absolute (që në teorinë e lojërave quhet “zero-sum”) – sa fiton opozita humb pushteti dhe anasjelltas. Kjo zvogëlon dukshëm gatishmërinë e pushtetit për kompromise.

Nga kjo pikëpamje, nuk jam dakord me vlerësimet se Kosova po kalon nga një demokraci “e brishtë” në autoritarizëm. Nuk ka pasë në Kosovë ndonjëherë demokraci, ka vetëm periudha të zgjerimit dhe ngushtimit të hapësirës konkurruese politike përbrenda një shteti që është përdorë nga pushtetmbajtësit për interesat e tyre. Dallimi është se zhvillimet politike po çojnë në një situatë ku elementet autoritare të autoritarizmit-kompetitiv po i shohim të shprehura gjithnjë e më haptazi dhe ku po veprohet aktivisht për ngushtimin e hapësirës vepruese për opozitën. Megjithatë, krejt kjo ndodh përbrenda parametrave “normal” të funksionimit të një regjimi çfarë është ndërtuar me vite në Kosovën e pasluftës.

Më shumë nga debati rreth autoritarizmit në Kosovë:

Krenar Gashi - "Konsolidim, jo rrëshqitje"

Agon Maliqi - "Komandantokracia"

Adem Beha - "Po kundërmoni shqype!"

 

 

09 dhjetor 2015
16:55

Besnik Pula