Banaliteti i gjuhës politike

07 dhjetor 2015 10:20

Mjeshtri i madh pendës, shkrimtari Georg Orwell temë boshte të krijimtarisë së tij, kishte raportin mes gjuhës dhe politikës. Pasi që gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por ajo mund të jetë ose shndërrohet lehtë, edhe në armë politike, ku përmbajtja e forma e të shprehurit manipulohen dhe shërbejnë si mjete propagande. Në romanet “Ferma e Kafshëve” dhe në atë edhe më emblematik “1984”, ai vuri në pah rolin dhe ndikimin që mund të ketë gjuha në indoktrinimin, nënshtrimin e masës dhe krijimin e të ‘vërtetës’ së vetme e totalitare. Në esenë “Politika dhe gjuha angleze”, pohonte ai, gjuha duhet të jetë instrument për të shprehur dhe jo për të fshehur a parandaluar mendimet. Me fjalë të tjera, gjuha është vetë liria dhe shprehja e lirë parakusht themelor i saj.

Mirëpo, çka ndodh nëse gjuha si formë shprehjes së lirë është tërësisht e shfrenuar, e shpifur dhe nuk shërben për të komunikuar por kryesisht për të sulmuar dhe denigruar tjetrin? Çka ndodh gjithashtu kur gjuha politike bëhet gjuhë banale, përplot fyerje e ofendime?

Atëherë, liria e shprehjes mbaron aty ku i cenohet liria dhe dinjiteti tjetrit, dhe gjuha humb kuptimin aty ku nuk komunikohet por barrikadohen pozitat. Sepse, politika dhe gjuha politike nuk mund të jenë asnjëherë monolog, ajo kërkon detyrimisht bashkëbisedim, rrjedhimisht që të mos ngulfatet e vërteta, e drejta dhe qëndrimet. Ajo kërkon që gjuha politike të jetë përmbajtjesore dhe e përmbajtur.

Ka kohë, që ne jemi dëshmitarë të një gjuhe politike që është përplot akuza e kundërakuza, fyerje dhe sharje, etiketime e ofendime nga më të ulëtat. Ky ligjërim banal dëshmon qartazi se përfaqësuesit politik të shtyrë nga inatet personale, kanë filluar të humbasin arsyen e shëndoshë për të argumentuar mbi qëndrimet e bindjet e tyre dhe për te pasur gatishmërinë te dëgjojnë mendimet tjera dhe përafrojnë qëndrimet me te tjerët. Prandaj, gjithë ky banalitet i gjuhës politike vetëm se po thellon krizën politike, po e polarizon shoqërinë dhe po e rrezikon krejt vendin. Ndërkaq, politika është përherë dialog asnjëherë monolog akuzash.

 

07 dhjetor 2015
10:20

Bekim Baliqi