Në emër të inatit apo shtetit

21 nëntor 2015 15:42

Të kuptosh skenën politike të Kosovës sot, që është bërë si një teatër me shfaqje të vazhdueshme tragjikomike, duhet t’i kthehesh zanafillës së krijimit të këtyre elitave politike. Ato nuk erdhën në skenë nga veprimtaria e gjatë politike, por nga konteksti i luftës për pavarësim. Më shumë sesa nga formësimi intelektual e emancipimi politik, ata dolën nga fuqia fisnore dhe kultet e ngritura përmes klientelës së tyre para-politike. Vitet dhe dekadat e kaluara, ata i gjeti të transformuar në struktura dhe diskurs por jo edhe në mendësinë politike. Herë në pushtet e herë në opozitë, kjo elitë nuk kishte qëndrime, program ose moral politik që nuk mund të ishin të ndryshueshme. Gjithashtu, koalicionet qeveritare formoheshin e prisheshin jo aq nga përputhjet apo dallimet programore e ideologjike por kryekëput nga hisja në pushtet dhe akomodimi i tyre në të. Edhe pse që nga koha kur këta hynë në politikë, rrethanat shoqërore e politike në Kosovë ndryshuan dukshëm, ata vet mbeten të pandryshuar.     

Demokracia parlamentare si mënyra më e përhapur botërisht e sistemeve politike, mbi parimin e të cilit është themeluar shteti dhe sistemi ynë politik, po sfidohet seriozisht nga mendësia dhe veprimet e një elite të pandryshuar. Kriza politike në Kosovë, përveç tjerash, vjen edhe si rezultat i përplasjeve të interesave dhe inateve ndërmjet tyre.  Pra, atyre që janë dhe atyre që e synojnë pushtetin. Çfarëdo veprimi apo ligjërimi politik që bëhet karshi njeri-tjetrit janë më shumë mjete për këtë qëllim sesa qëllime në vete. Mirëpo, marrëdhëniet e tyre nuk mund, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojnë në dëm të institucioneve, proceseve socio-ekonomike dhe relacioneve  ndërkombëtare. Gjë, që fatkeqësisht me aksionet e tepruara brenda dhe jashtë kuvendit, si dhe qëndrimet ultimative, ata këto dëme po i bëjnë.

Republika nuk i takon qeverisë, e as nuk i takon opozitës, ajo i takon gjithë qytetarëve, dhe ka shumë të tillë që janë të indinjuar thellësisht me dyja palët. Ajo çka kanë nevojë qytetarët, është që të kenë përfaqësues politik të denjë e normal, që nuk shajnë e urrejnë, nuk shtyhen për muskuj më të fuqishëm, dhe që nuk përçojnë mesazh të ndasive e të dhunës.

Prandaj, ideja e diskursi, se dikush është duke e tradhtuar vendin e dikush është duke e shpëtuar atë, ose akuzat se dikush është pro-amerikan e tjetri pro-rus, janë thjesht banale dhe shumë të dëmshme për ketë demokraci e vend kaq të brishtë. Në këtë situatë askush nuk mund të e gëzoj të drejtën të flas në emër të popullit. Sepse, pikërisht kjo do të thelloj ndasitë dhe do t’i barikadoj tutje palët.

Nëse kjo elitë politike, do të i linte anash inatet e urrejtjet e tyre personale,  këto skena terrorizuese dhe krejt kjo çmenduri mund të ndalej menjëherë. Sepse kështu nuk përfaqësohet qytetari, kështu nuk mbrohet shteti e kështu më së paku bëhet politika. Por, vetëm duke komunikuar e negociuar mes veti, mund të arrijnë te zgjidhjet e nevojshme. Nëse as këtë nuk janë në gjendje te bëjnë, fundi i tyre politik do të jetë jo i lavdishëm dhe i pashmangshëm.   

 

 

21 nëntor 2015
15:42

Bekim Baliqi