Rreth Parisit

14 nëntor 2015 08:35

Lajme të kobshme erdhën nga Parisi të premten në mbrëmje. Mbi 150 persona u vranë dhe mbi 200 persona u plagosen në një ndër sulmet më të mëdha terroriste të periudhës së pas 11 shtatorit. Edhe pse momentalisht shumëçka është ende e mjegullt, sulmi dyshohet të jetë kryer nga gjashtë grupe të koordinuara në gjashtë lokacione të Parisit. Shteti francez shpalli gjendjen e jashtëzakonshme menjëherë pas sulmit ndërsa disa ore më vonë, pas një kohe ku dyshohej për situatë të pengjeve, të gjithë tetë terroristet u ‘neutralizuan’. Sipas disa dëshmitareve, terroristet bërtitnin “Allahu Akbar” gjatë ekzekutimit të aktit terrorist – duke aluduar kështu në një sulm të radikaleve Islamik.


Në këto momente zemërimi dhe zhgënjimi në njerëzinë e këtyre njerëzve, është shumë lehtë të shpie në konkluzione të shpejta dhe esencialiste apo të ushqejnë paranojat për grupe të caktuara shoqërore. Shumë njerëz vetëm sa kanë filluar sulmin e tyre ndaj myslimaneve dhe fesë Islame si fe e dhunës dhe fe jo-kompatibile me ‘vlerat e demokracisë dhe lirisë’, apo refugjateve Sirian në të cilët sipas tyre janë infiltruar shumë pjesëtarë të ISIS. Një shembull i tillë na vjen edhe nga politika amerikane ku ende pa u sqaruar shumë gjera kongresmeni republikan Jeff Duncan, reprezentues i Karolines Jugore, deklaroi në Twitter “Si po duket risistemimi i refugjateve Sirian tani? Çka po i’u duket migrimi masiv në Europë? Terrorizmi është gjallë dhe i fortë në botë. #JO” duke aluduar kështu që ky sulm ishte rezultat i pranimit të refugjateve Sirian në Europë. Në ndër kohë, rrjetet sociale po vlojnë nga komentet se si myslimanet janë të gjithë terroristë. Jam i sigurt që një diskurs i tillë do të përcillet edhe në Kosovë – edhe pse shpresoj që një gjë e tillë të mos ndodhë.


Për fat të keq, asgjë nuk do të mund t’i sjellë në jetë prapë ata që ranë viktima të këtij sulmi makabër. Mirëpo po shpresoj që një ngjarje e tillë të na bëj të e marrim më seriozitet të plote çështjen e terrorizmit dhe të na bëj të reflektoje mbi rrënjët e problemit të terrorizmit. Të thuhet së përgjegjës për këto akte janë refugjatet apo feja Islame është popullizem i rrezikshëm për konsum të menjëhershëm politik dhe shumë i rrezikshëm. Feja Islame ndoshta edhe mund të interpretohet e tillë që të nxisë sulme të dhunshme, por është aq përgjegjëse për këto sulme sa është Budizmi në Myanmar, Judazimi në Israel, Protestantizmi në shpërthimet e klinikave të abortit në Amerikë, Katolicizmi në Republikën Afrikane Qendrore, apo edhe Ortodoksizmi në Serbi. Po ashtu, të thuash se refugjatet janë përgjegjës për këto sulme është po aq gabim – jo për shkak se nuk mund të ketë të infiltruar të ISIS në turmat e refugjateve – por për faktin që këta refugjate kanë lëshuar vendin e tyre pikërisht për shkak të regjimit të dhunshëm të ISIS dhe luftës ‘fetare’ në Siri. 


Këto perspektiva të tejthjeshta qojnë tek zgjidhje të tejthjeshta – si mbyllja e kufijve për refugjate dhe moskokëqarje ndaj tyre, propozime për zgjidhje të problemit të ISIS me bombardimin dhe eliminimin e tyre fizik, apo shtimi i kontrollave të sigurisë në aeroporte, kufij, rrugë dhe gjithkah tjetër. Në të kundërtën, kjo ngjarje do të duhej të shërbente si reflektim mbi rrënjët e problemit të terrorizmit, në një aspekt më të gjerë sociologjik dhe politik, dhe do të duhej të na inkurajojë të hyjmë në një dialog shoqëror për zgjidhjen e problemit të kësaj ideologjie të kalbur të terrorizmit. As bombat, as kufijtë, e as patrullat policore nuk mund t’i ndalin idetë; përkundrazi, ato vetëm sa e rrisin alienimin, ndjenjën e padrejtësisë dhe përjashtimit nga shoqëria të individëve gjë e cila është parakusht për përqafimin e një ideologjie të tillë të kalbur.

_____________________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

 

14 nëntor 2015
08:35

Dren Pozhegu