09 nëntor 2015
10:45

Ngas makinën pa i respektuar rregullat e komunikacionit sepse nuk dënohem.
Ngas makinën pa i respektuar rregullat e komunikacionit, sepse të gjithë e bëjnë të njëjtën gjë.
Ngas makinën pa i respektuar rregullat e komunikacionit, sepse në të kundërtën vonohem për punë në mëngjes, vonohem për të shfrytëzuar pauzën, vonohem për të marrë një dokument në komunë, vonohem për të shkuar me kohë tek klienti… vonohem për të pi kafe?
Ngas makinën pa i respektuar rregullat e komunikacionit, sepse ky vend e respekton më shumë të fortin sesa ligjin.
Këto janë një sërë arsyetimesh që na bëjnë t’i ikim përgjegjësisë, që na bëjnë ta shfajësojmë veten nga numri i aksidenteve vdekjeprurëse, që kohëve të fundit kanë filluar t’i stërmbushin lajmet tona, postimet në media sociale, si dhe status-at RIP.
Ka shumë njerëz në mesin tonë që sinqerisht besojnë se rregullat, si në komunikacion ashtu edhe në institucione zyrtare e private, dhe rregulla të tjera shoqërore, nuk i prekin ata/ato, apo nuk janë të aplikueshme mbi ata/ato. Ata/ato besojnë se ligji dhe rregullat janë bërë vetëm për qyqarë, për ata e ato që nuk kanë forcë, që janë të ligë, të pafatë. Me fjalë të tjera njerëz të tillë besojnë se janë përmbi ligjin - gjë që fatëkeqësisht me raste edhe qëndron.
Për më tepër, këta të fundit janë plotësisht të bindur që nëse bërtasin me zë sa më të lartë, apo nëse thërrasin dikë që njohin do të arrijnë shumë lehtë synimin e tyre - përkundër rregullave apo faktit se një gjë e tillë nuk u takon.
Por, a jemi në të vërtetë mbi ligjin kur pësojmë aksident, qofshim ne shkaktarë apo viktimë e tij? A mund t’i ikim përgjegjësisë së shkatërrimit të jetës tonë, apo edhe më keq të dikujt, si rezultat i pamendjesisë?
A nuk kemi ne kapacitet për të parë se papërgjegjësitë e tilla shndërrohen në pasoja katastrofike jetësore?
Si shoqëri, ne gjithmonë jemi mësuar ta zhvendosim fajin dikund tjetër. Por, të fajësosh shoqërinë, shtetin, apo udhëheqësinë si dhe të ngrihesh përmbi situatën - shpesh të vetëkrijuar - është shprehi e pothuajse të gjithë neve, e cila duhet çrrënjosur që në fëmijëri, në familjet tona, në shkolla dhe në edukimin tonë të hershëm.
Në fund të fundit të mosarsyetohesh, por të marrësh përgjegjësi mbi atë që e ke bërë apo nuk e ke bërë - qoftë ajo përgjegjësi e jotja shumë e vogël - në parim duket të jetë koncept mjaft i lehtë dhe i zbatueshëm. Megjithatë, ky është një koncept bazë që na mungon neve, shoqërisë kosovare.
Mungesa e përgjegjësisë brenda familjes, na bën të fillojmë të merremi shumë vonë me detyrimet e shumta të jetës, si dhe të mos përballemi me jetën në vitet kur në të vërtetë do të duhej të tregonim pjekuri. Ky pavarësim individual shpesh i vonshëm, na bënë të mangët në përmbushjen e obligimeve shoqërore, si dhe në kuptimin e rolit që secili prej nesh e mban në shoqërin në të cilën vepron, në lagjen në të cilën jeton, në institucionin në të cilin punon, si dhe përbrenda shtetit të cilin zyrtarisht apo jo, gjithnjë e përfaqëson.
Sot mungesa e përgjegjësisë na bën të paguajmë me jetë.
Ajo është në mesin e vozitësëve, në mesin e zyrtarëve që pranojnë 300 euro për të dhënë leje të vozitjes për teste të pakaluara, në mesin e inspektorëve të trafikut që nuk e ndalojnë një vozitës para se t’ia marrë jetën dikujt dhe vetës.
Sot, papërgjegjësia është në mesin tonë, dhe nuk është aksidentale.
09 nëntor 2015
10:45