Një simbolikë e re kombëtare

05 nëntor 2015 14:20

“Burrat në bunad ... seksiii!” Kështu i përshkruanin gratë norvegjeze burrat në veshjen e tyre kombëtare e njohur si bunad. Edhe për gratë, veshjet kombëtare ishin element interesant dhe atraktiv për t’u veshur gjatë festave, diplomimit, në dasma, e sidomos për 17 maj, Ditën Kombëtare të Norvegjisë. Studimet në Norvegji më kanë dhënë një perspektivë krejtësisht tjetër rreth konceptit komb e krenari, dhe përkthimin e këtyre koncepteve në veprime, qasje dhe në raportet ndërnjerëzore.

Pse ju duken grave norvegjeze atraktivë burrat në veshje kombëtare? Në vitin 2008, Norvegjia është zgjedhur vendi me më së shumti barazi gjinore në botë. Pushimi i lehonisë dhe atësisë, si dhe politikat prindërore në përgjithësi janë të rregulluara mirë. Dhuna ndaj grave si fenomen shoqëror është tejet e vogël; burrat janë kryesisht baballarë të angazhuar e të përkushtuar; vend në çerdhe ka për të gjithë fëmijët. Madje ka edhe kampuse universitare që ofrojnë kujdes për fëmijët e atyre studenteve që duan ta ndjekin shkollimin universitar. Karakteristikat tipike të një burri norvegjez janë sjelljet e mira dhe mendësia ku barazia ndjehet, dhe ku për dallim nga kulturat patriarkale, shkathtësitë e burrave në kuzhinë e të grave në shtrat çmohen e nuk përbuzen.

A na duken atraktivë burrat shqiptarë në veshje kombëtare? Kjo ishte një bisedë me shoqet e koleget ku asnjëra nuk arritëm ta cilësojmë si atraktiv një burrë me plis e mustaqe, në tirqi e oponga. Arsyeja prapa simbolikës qëndron tek vlerat dhe parimet shoqërore e kulturore të cilat e karakterizojnë një burrë tipik shqiptar, e ai është dikush që mbron fuqishëm tiparet etnocentrike, e sheh dhunën e arrogancën si mjet burrërie, e gratë në pronësi të tyre. Përveç tipareve tipike që nuk asociojnë me një figurë aktraktive e xhentile të një burri, arsyet tjera i kemi mu në sipërfaqe: dhuna ndaj grave në Kosovë e Shqipëri dominon; gratë në tregun e punës janë të limituara dukshëm; pushimi i lehonisë shpesh u hakmerret atyre me vendin e punës. Edhe ato gra që punojnë apo zhvillojnë karrierë ende u hekurosin pantallonat e këmishat burrave, përgatisin ushqimin, dhe kujdesi për fëmijët vazhdon të perceptohet si barrë kryesore për to.  

Pra një grua e emancipuar politikisht e shoqërisht nuk mund ta mendojë atraktiv një burrë në veshje kombëtare shqiptare, sepse figura e një burri shqiptar është figura e dominuesit, të cilin duhet ta mbash të kënaqur, t’ia mbash temperamentin nën kontroll, dhe t’i shërbesh me përkushtim.

Vlerat kombëtare si “besa”, “dashuria për vendin”, “misioni për mbrojtjen e territorit”, e të tjera të ngjashme, të thurura në këngë e poezi e të ilustruara me kuq e zi, kanë dëshmuar të jenë të mbushura me hipokrizi e kontradikta. Ato duhet zëvendësuar me vlera e tipare më njerëzore, më demokratike dhe që reflektojnë drejtpërdrejt në raportet e shëndosha në mes të grave e burrave dhe në mirëqenien e gjithë shoqërisë ku politikat shtetërore mbajnë individët të shëndoshë dhe të kënaqur. Na mbetet t’i ruajmë me përkushtim ato pak të mira që i kemi, të përvetësojmë tipare të tjera, dhe diskriminimi i grave e glorifikimi i burrave të mbetet vetëm një pjesë e historisë sonë dhe assesi të mos e dominojë simbolikën kombëtare shqiptare. Ndoshta vetëm atëherë do të kemi arsye dhe shtytje t’i veshim me plot entuziazëm.

 

05 nëntor 2015
14:20

Shqipe Gjocaj