Fyerja si mendim

24 tetor 2015 12:38

Sipas Orwellit në qoftëse mendimet e prishin gjuhën, gjuha mund t`i prish mendimet. Rrjedhimisht, në një atmosferë të tendosur çfarë po mbretëron në shoqërinë kosovare, kultivimi i një diskursi agresiv dhe shovinist do ta prodhoj situatën kur përfundimisht qëndrimi për një çështje apo fenomen të dëmtohet seriozisht shkaku i vulgaritetit në të shprehur. Nuk është hera e parë që parlamentarët, zgjedhin një gjuhë të tillë komunikimi, e cila përveçse përmban urrejtje e folklorizëm, rrëshqet shpesh në gjuhë seksiste e misogjeniste. Duke qenë se filozofi i njohur Heideger e cilëson gjuhën si institucionin më të lartë, është paradoksale në institucionit më të lartë shtetëror në manifestohet nivel kaq i ulët komunikimi. Ky diskurs parlamentar, ka kohë që ka marrë konotacion histerik, i brumosur me neurozë në interpretimin e çështjeve, ndaj nga këndvështrimi Lakanian, kjo situatë është tipike kur ngatërrohet dëshira e tjetrit me kërkesën e tij.

Shprehjet “ma hangsh...” dhe “çka po bahesh si grua e keqe”, të përdorura nga kreu i Parlamentit, shpërfaqën diskursin arrogant- real, i cili s`do mend, vazhdon të jetë i pranishëm ende në ambiente familjare.

Me një diskurs të tillë, parlamentarizmi është shndërruar në sharlatanizëm, kur secili po përpiqet të vijë në shprehje duke përdorur një gjuhë sa më joparlamentare që mundet. 

Bllokada institucionale ka marrë trajtën e një barometri karakteresh dhe po krijon mundësi që shumë nga ata që janë votuar, të paraqiten të tillë çfarë janë - primitivë superlativ.

Në esencë ajo çfarë flasim është ajo çfarë ndjejmë. Porse ky arsenal etnocentrist, që ka për qëllim refuzimin e dallimit, po mbanë peng gjithë shoqërinë kosovare, nga fakti se kjo gjuhë që përdoret në Kuvend bartet në nivele të tjera. Rreziku që kjo dhunë verbale të shndërrohet në atë fizike është jashtë mase. Ndaj, rrudheni gojën, sepse kjo maturi në diskurs i jep mundësi opinionit publik që përpara se t`i dëgjojë fyerjet, stereotipizimet apo folklorizmat, t`i analizojë qasjet e të dy palëve për të krijuar një ide, për ta bërë dallimin dhe për ta qartësuar nëse edhe çështja e Asociacionit është thjesht çështje gjuhe, ambiguitet apo gjendje reale.

_________________

Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.

24 tetor 2015
12:38

Sibel Halimi