22 tetor 2015
11:04

Fatkeqësia e UP-së është se në luftën për integritet akademik, nuk është se nuk pritej që shumica e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues do ta mbronin me fanatizëm mashtrimin e keqpërdorimin akademik. Qartazi, disa syresh i gëzojnë privilegjet e të qenit ende në UP duke iu falënderuar klimës mbizotëruese që i ndëshkon punëtorët e zellshëm dhe i shpërblen mashtruesit e papërmirësueshëm.
Kolegët e tyre, anëtarë Senati, që shpërblyen kolegë e funksionarë duke u bazuar në bërllok akademik dhe nuk e panë kurrë të udhës të japin përgjegjësi për ato vepra, u ngritën për të kërkuar shkarkimin e një rektori që po tentonte të vendoste rregull në institucionin më të rëndësishëm të arsimit në Kosovë. Rregulli u çrregullonte punët e pista. Nuk mund të lejonin që dikush që nuk dirigjohej me telekomandë nga grupe të dyshimta të qëndronte në krye të UP-së për një kohë më të gjatë.
Në vendimin e sotëm që sulmoi progresin në UP kishte edhe të tillë që i takojnë grupit të ashtuquajtur "pragmatik", që kërkon rezistencë ndaj të keqes veç kur ajo nuk ua prek atyre as më të voglin interes. Ky është leksion i dhimbshëm se nuk shkojmë dot përpara si shoqëri nëse nuk jemi të gatshëm të bëjmë për vete as edhe një sakrificë të vetme.
Sidoqoftë, UP-ja nuk u fundos sot. Ajo është më e fortë se gishtat e kapove të mediokritetit, sado lart në sistem të jenë të instaluar ata. Por, me vendimin e sotëm u dëshmua se për studentët dhe stafin e UP-së, si dhe për qytetarët të cilët pa dyshim dëshirojnë që UP-ja të jetë në ballë të ideve të avancimit tonë shoqëror e jo në ballë të skandaleve, rrugëtimi mbetet i gjatë dhe tejet i vështirë.
E falënderoj rektorin e derisotshëm, si koleg, që dëshmoi se megjithatë në UP ka profesorë dinjitozë që kanë mendim të tyre dhe që e duan UP-në më shumë se privilegjet e pozitave udhëheqëse. Faleminderit profesor Zejnhullahu!
__________________
Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.
22 tetor 2015
11:04