Komandantokracia

17 nëntor 2015 15:19

Roli primar i shtetit është që qytetarëve t’iu sigurojë siguri dhe rend. Këto janë të parat në hierarkinë e nevojave të një shoqërie, sepse pa siguri dhe rend nuk mund të flitet për ekonomi dhe mirëqenie.

Ato janë arsyeja përse përgjatë historisë njerëzit ua kanë deleguar fuqinë “të fortëve” dhe i kanë pranuar me vullnet edhe regjimet shtypëse. Kjo sepse të paktën këta të fortë, në mungesë të ndonjë sistemi më efikas të qeverisjes, u kanë siguruar njerëzve siguri e rend, duke e marrë për shkëmbim një taksë ( psh. në formë haraçi).  

Kur shteti, si përfaqësues i shoqërisë në tërësi, është i brishtë dhe nuk ka dhëmbë për të kafshuar në emër të ligjeve të shkruara, ai dështon që ta kryejë funksionin e tij primar për siguri dhe rend, ndërsa hapësirën e lënë bosh gjithmonë do ta mbushin ata që kanë muskuj.

Pra, të fortët.

Në Kosovë të fortët e bëjnë këtë me bekimin tonë. Për shkak të nevojës sonë për siguri e rend, dhe mungesës së besimit në fuqinë e shtetit. Për shkak se që pesëmbëdhjetë vite në Kosovë dominon bindja se për të çarë përpara – në biznes, në politikë, etj - gjithsesi duhet ta kesh prapa vetës një komandant.

Të fortët e këtij vendi sundojnë sepse në këtë vend kodit tradicional të heshtjes i është shtuar edhe ai i frikës. Për ta instaluar këtë frikë pa dyshim u desh që fillimisht të ngulitej bindja se nga kundërvënia ndaj të fortëve mund të gjesh vdekjen. Me gjasë ky ishte edhe mesazhi që të fortët e përçuan menjëherë pas luftës kur u vranë, nga duar akoma misterioze, shumë figura publike.

Sot pas pesëmbëdhjetë vitesh ndoshta vrasjet më nuk janë pjesë e jetës sonë. Por vazhdojmë të shohim se si një komandant gëzon privilegje speciale në burg si i dënuar. Se si policia e Kosovës në protestë u turret dhunshëm aktivistëve të një partie opozitare por nuk guxon ta prekë një komandant të sajin. Se si opinionistët e mediat e vendit, e shfryjnë gjithë dufin e akumuluar ndaj të fortëve drejt disa figurave dytësore politike që nuk e shkelin dot as edhe një mizë, thjesht sepse prej kritikës ndaj tyre nuk i gjen gjë.

Kosova si shtet vazhdon të mos prodhojë rend dhe siguri për të gjithë. Por këtë rend dhe siguri në instancë të fundit vazhdojnë ta prodhojnë komandantët e luftës dhe të fortë të tjerë, tashmë të përçarë, secili me partinë e vet dhe me bizneset e veta, me mundësinë për t’i shpërndarë favoret e veta, e për ta ndërtuar armata besnikësh, në kërkim të tallit për të dhe për të tijët, në një garë pluraliste të fortësh, ku mungesa e muskujve të bën të injorueshëm.  

Edhe kriza e fundit, e sidomos zhvillimet në Kuvend, treguan se ne nuk jemi akoma një demokraci e mirëfilltë, por diçka që mund të quhet edhe si komandantokraci, ku nuk është i rëndësishëm vetëm numri i votave që i ke, por edhe numri i komandantëve që i ke pas vetes.

Në mandatin e kaluar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje largoheshin nga salla prej kryetarit të Kuvendit pa problem kur shkaktonin telashe, sepse e kishin vetëm një komandant të paprekshëm. Sot i kanë pas vetes edhe nja dy të tjerë me nam, kështu që zgjidhja e kësaj pune me dhunë bëhet pak më e vështirë, sepse nënkupton përballje muskujsh.

Dikur gjatë viteve në vijim, kur do t'i shohim edhe më mirë pasojat e kësaj situate, do ta kuptojmë mirë një fakt: nuk mund të bëhemi shoqëri e shtet normal derisa nuk do të dalë në sipërfaqe një polic që do të guxojë t'i kundërvihet një të forti. Një dëshmitar që del e dëshmon kundër tij. Një prokuror që do ta ngrejë një aktakuzë kundër tij.

Sfida për ndërtimin e shtetit kërkon të fortë të rinj të kësaj natyre. Njerëz që do ta kenë guximin t’i sfidojnë ata që dje guxuan ta çlirojnë këtë shtet, por që nga babëzia e egoizmi sot janë bërë pengesa kryesore për zhvillimin e tij.

17 nëntor 2015
15:19

Agon Maliqi