12 tetor 2015
11:11

Pushteti akuzon qytetarët se po ankohen për gjithçka. Me arsye e pa arsye. Thuhet se ankesat nuk po bëhen në adresën e duhur: në organet e ankesës, aty ku ankesat e qytetarëve do të marrin përgjigje. Po kërkohet me u anku në mënyrë konstruktive.
Por, cilat janë shanset se organet e ankesës të kthejnë përgjigje në rast se ju ankoheni? Më poshtë, po i përmend katër shembuj se si institucionet e ndryshme të shtetit i trajtojnë ankesat formale:
1.
Në fund të muajit qershor paraqita një ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës. Arsyeja e ankesës ishte sjellja joetike (sipas mendimit tim) e një zyrtari policor. Formularin e ankesës e plotësova në mënyrë elektronike, në faqen e Inspektoratit. Shumë shpejt mora një përgjigje automatike nga Inspektorati se ankesa ime ishte pranuar dhe se do të shqyrtohet në ditët në vijim. Nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se tre muaj pa marrë përgjigje.
2.
Në fillim të korrikut shfrytëzova të drejtën e ankesës në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Arsyeja e ankesës ishte përdorimi i paautorizuar i numrit tim të telefonit për të më dërguar mesazhe promovuese. Ashtu sikurse me Inspektoratin Policor, edhe këtu ankesën e plotësova në formë elektronike. Përderisa nga Inspektorati mora një përgjigje automatike, nga Agjencia nuk e mora as një përgjigje të tillë.
3.
Në nëntor bëhen tre vite nga koha që organizata ku punoj ka dorëzuar padi për moslejim në qasje në dokumente publike. Edhe pas më shumë se 1.050 ditësh nga padia, edhe pas ankesës për vonesë në zgjidhjen e lëndës të dorëzuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, nuk është kthyer asnjë përgjigje nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
4.
Një ditë, ndërsa po vizitoja një lokal zejtar të pastrimit kimik, pronari i lokalit m’u ankua për një hall të tij. Biznesi i tij i vogël kishte marrë një faturë për pagesën e energjisë elektrike prej 699.69 euro, 201.82 euro prej të cilave ishin “përmirësim i gabimit në lexim të njehsorit nga KEDS”. Kjo faturë, pronarit 64 vjeçar të lokalit, i kishte dërguar e shkruar në anglisht “corrections” dhe pa asnjë shpjegim se përse ka ndodhur kjo. Pronari ishte ankuar tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për të mos marrë kurrë përgjigje.
Shembuj të tillë mund të rendis edhe më shumë dhe jam i sigurt se secili nga ju përballeni me raste të tilla të papërgjegjshmërisë institucionale. Në këso rastesh nuk është problemi tek përgjigja, e cila nuk mund t’ju pëlqejë, por tek mungesa e përgjigjes.
Nuk ka asgjë më irrituese, dhe nuk ka faktor tjetër më me ndikim në humbjen e besimit në shtet sesa përshtypja e personave,se shteti po i trajton padrejtësisht. Andaj, nevojitet që institucionet të përforcojnë organet e ankesës. Dështimi për të bërë një gjë të tillë, mund të sjellë një situatë ku rruga e vetme e ankesës e protestës mbetet rruga. Ose, në rastin më të keq, ankesa e cinizmi në rrjetet sociale.
12 tetor 2015
11:11