08 tetor 2015
16:47

Ka kohë që si shoqëri jemi pa një objektiv të përbashkët madhor. Si individ, secili punojmë në përmbushjen e ëndrrave tona personale e familjare. Por, secila shoqëri ka edhe ëndrrat dhe qëllimet që do t'i arrijë në kuadër të një organizimi shtetëror.
Shoqëria kosovare gjithnjë e ka pasur një qëllim, i cili është definuar nga politika, por në realizimin e së cilit ka kontribuar shumica e popullsisë. Deri në vitet e ’90 qëllimi final kolektiv ishte sigurimi i statusit të republikës në kuadër të Jugosllavisë. Në vitet e ’90 ky qëllim u zëvendësua me çlirimin e Kosovës nga okupimi. Pas ’99 qëllimi kolektiv ishte shpallja e pavarësisë.
Tani, cili është qëllimi kolektiv i shoqërisë kosovare? Partitë politike nuk mund të pajtohen më në asnjë çështje madhore të interesit kombëtar. Ato janë të ndara në mes partive të cilat mbështesin procesin negociator, kundrejt atyre të cilat kundërshtojnë një të tillë. Parti politike të cilat synimin madhor shoqëror e shohin në integrimin evropian, kundrejt atyre që synim parësor e kanë bashkimin me Shqipërinë. Parti politike të cilat luftojnë për çkapjen e shtetit nga parapolitika, kundrejt atyre të cilat dëshirojnë t'i ruajnë gjërat kështu siç janë.
E më e keqja, në këtë politikë paradoksesh ke aleancë mes atyre që konsideroheshin kapës të shtetit me ata që proklamonin çkapjen! Apo parti politike të cilat ishin kundër negociatave, me ato parti të cilat mbështesnin edhe me ekspert partiak negociatat! Parti të cilat duan bashkim më një shtet tjetër, me partitë që e duan shtetin me identitet të ri të mëvetësishëm.
E tërë kjo situatë kaotike sjell ngërçe institucionale, protesta të dhunshme në rrugë, vezë e gaz lotsjellës në parlament. Tani jemi në një gjendje ku nuk dihet se kush çfarë parimi po mbron dhe për çfarë po proteston.
Sipas psikoterapeutit Viktor E. Frankl, ajo që i shtyn njerëzit të jetojnë e të motivohen për jetë, është ekzistimi i qëllimit për të jetuar. E njëjta vlen edhe për shtetet. Shteti i Kosovës duhet të rigjejë një motiv më të lartë me qëllim që të arrijë të ushqejë shpresën dhe motivin shoqëror.
Ky qëllim duhet të formulohet dhe të përfshijë së paku dy objektiva: e para, vënia e një afati sa më të shkurtër kohor për përfundimin e negociatave në Bruksel, të cilat po e mbajnë pezull edhe më tej statusin politik të këtij vendi, duke u bashkëngjitur lloj-lloj aneksesh autonome; e dyta, krijimin e një jete më të mirë ekonomike dhe sociale për të gjithë anëtarët e shoqërisë.
Negociatat e stërzgjatura po e shmangin fokusin e institucioneve publike nga problemet ekonomike. Këtë e pranoi disa javë më parë në një debat publik edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik.
Fatkeqësisht asnjë qeveri deri më tani nuk ka ditur të formulojë një vizion të tillë ekonomik – i cili do të jepte shpresë për një të ardhme më të mirë dhe realizimi i të cilit do të ishte qëllim i tërë qytetarëve.
Deri në formulimin e një objektivi të qartë shoqëror, ne do të shohim edhe shumë përplasje të tilla politike.
08 tetor 2015
16:47