Nga kriza në krizë drejt hipokrizisë!

07 tetor 2015 14:36

Bllokimi i Kuvendit të Kosovës po shihet si fillim i krizës politike, po ashtu edhe bllokimi e Kuvendit komunal të Prishtinës po qon në një krize të qeverisjes komunale, sikurse edhe e bllokimi i senatit të Universitetit që sjell krizën e radhës. A nuk u tejkaluan këto kriza tashmë apo po hyjmë në sezonin e ri të krizave? A janë këto kriza ciklike, apo simptoma kronike të një mega-krize në vend?

Këto bllokime, janë në fakt kriza të sajuara për të krijuar një gjendje të tensionit të vazhdueshëm. Ato më shumë janë qëllime për modifikim problemesh sesa qëllim për zgjidhje të tyre.

Le të provojmë këtë si një lojë mendore e hipotetike, ku ka më shumë pyetje se përgjigje. Pse opozita e bllokon punën e një institucioni aq vital të shtetit, siç është Kuvendi, kur ka forma të ndryshme e të njohura të shprehjes së mospajtimit? Pse të njëjtën gjë e bëjnë në nivel lokal partitë tjera opozitare, e me arsyetim të pakuptimtë? Pse bllokohet puna e senatit (kuvendit të Universitetit) dhe kështu veprohet po me ketë logjik? Sepse, bllokuesit donë me i prish rregullat e përcaktuara, pra me kall lojën, dhe atëherë eventualisht mund të i negociojnë rregullat e reja. Kjo është edhe pse disa studente aq shpesh bllokojnë punën në universitet, me kërkesa të njëjta e gati banale. Sepse, po të mësonin e studionin si duhet nuk do të kishin fare nevojë për afate shtesë të provimeve. Por, meqë në këto rregulla nuk ia dalin mbarë, atëherë logjika e mbrapsht iu thotë po bllokojmë e ndoshta arrijmë te kompromiset. Kjo taktik synohet edhe në kuvende (si qendrore ashtu edhe komunale).

Mirëpo, thelbi i krizës nuk është veç politik, në fakt është sistemor. Jemi peng të vlerave e parimeve të devalvuar thellësisht nga ata që pikërisht i ‘promovojnë’ më së shumti. Kështu, partitë politike janë në krizë të thellë, ato i kaluan zgjedhjet e brendshme partiake në mënyra aspak demokratike, nuk sollën risi dhe kështu nuk po arrijnë të fitojnë besueshmërinë e qytetarëve. Gjithashtu, Universiteti nuk po del dot nga inatet e interesat personale të atyre që e udhëheqin atë në emër të së mirës publike.   

Për të dal nga bllokadat dhe krizat e vazhdueshme, nevojiten reforma gjithëpërfshirëse e strukturore. Duke filluar nga vet partitë politike e deri te ato universitare, të cilat duhet bërë për ndryshime cilësore e përmbajtësore dhe jo për të bërë kompromise për të shpëtuar kokat e tyre dhe eliminuar njerëz të caktuar. Prandaj, më shumë se krizë ky vend e kjo shoqëri ka hipokrizi. Deri atëherë kur logjika bllokuese nuk largohet, ligjërimet për standardet akademike, vlerat patriotike e integrimet evropiane do të mbesin veç hipokrizi e pastër. 

07 tetor 2015
14:36

Bekim Baliqi