“Esenca femërore”, esencë e seksizmit në media

05 tetor 2015 13:19

“Esenca femërore” apo tipare që mendohet se i karakterizojnë biologjikisht gratë si një grup homogjen nuk ekziston. Gratë, ashtu sikurse edhe burrat, janë konstrukte sociale, kulturore e historike. Pra, diskurse të caktuara, në kohë e rrethana të caktuara, kanë caktuar rolet dhe përgjegjësitë që gratë e burrat kanë në shoqëri si rrjedhojë e seksit të tyre biologjik. Sot ky esencializëm gjinor konsiderohet vetëm një perspektivë arkaike. Megjithatë, mediat tona vazhdojnë t’i përforcojë stereotipet gjinore ku fiksimi me pamjen fizike, raporti me burra dhe morali gjithnjë diskutabil i grave, janë standardet me të cilat shoqëria jonë vlerëson vajzat dhe gratë.

Një tekst që dua ta problematizoj është rubrika FEMRAT në gazetën Zëri. “Si të rrisësh gjoksin”, “Meshkujt nuk i duan femrat që...”, “Dashnorja perfekte, ja si e duan meshkujt tradhtarë”,  “Gabimet që nuk bëhen në takimin e parë” etj., etj., janë disa nga titujt që dëshmojnë se rubrika “Femrat” i prezanton gratë dhe burrat në situata të pabarabarta pushteti. Dashuria dhe raporti në mes tyre është i korruptuar. Gratë duhet t’i plotësojnë edhe kushtet estetike edhe ato morale për t’i kënaqur burrat dhe për të merituar respektin, ndërkaq burrat duhet të kenë arsye t’i respektojnë gratë dhe t’i pranojnë si të denja (edhe pse prapëseprapë jo të barabarta).

Problem përbën vetë emri i kësaj rubrike. Femra është koncept biologjik, ndërkaq gruaja është koncept shoqëror. Pamja e rafinuar fizike sipas standardeve që imponon tregu, ‘morali’ dhe si ta mbash burrin të kënaqur, nuk përbën “esencë femërore”. Ajo “esencë” nuk ekziston, por formohet e mirëmbahet nga patriarkati dhe industritë fitimprurëse që kanë interes të mbajnë gratë të varura dhe të paemancipuara.

Pra, çka kërkohet nga gratë sipas artikujve dhe imazheve që shërbehen në këtë rubrikë? Bindje! Bindje ndaj një mendësie e “rregulli shoqëror” që konfirmon gruan si inferiore në shoqëri dhe arsyeton privilegjet e padrejta të burrave.

Kontradiktë në ekzistencën e kësaj rubrike përbën edhe fakti që kryeredaktorja e kësaj gazete, Arbana Xharra është ndër gazetaret dhe gratë më të guximshme në Kosovë, e cila me shkrimet dhe punën e saj si gazetare ka vënë në pah veprimet dhe sjelljet korruptuese të politikanëve dhe ka ekspozuar hipokrizinë e krerëve fetarë, dhe shpesh kritikon vet kolegët e saj në media për mungesë të standardeve etike. Puna e saj është shpërblyer me çmimin për guxim nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ndër gratë e suksesshme në Evropë. E gjithë kjo e bënë atë model të një gruaje të fortë e të pushtetshme, e bën model dhe frymëzim për vajzat dhe gratë.

Pse atëherë, përmbajtja e mediumit që ajo e mbikëqyr insiston në përforcimin e stereotipeve për gratë si të varura, neurotike, të cekta, objekte seksi, dhe të gjitha këto i kategorizon me FEMRAT?! Zëri dhe mediume serioze në vend lejojnë imazhe e porosi seksiste të u shërbehen lexuesve në baza ditore. Nëse gazetar, kryeredaktorë e udhëheqësit e tjerë të mediave kritikojnë udhëheqësit, politikanët dhe përfaqësuesit tjerë duke kërkuar etikë nga ta, edhe ata duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi për rolin e tyre në formësimin demokratik të opinionit publik rreth çështjeve gjinore, të drejtave të njeriut dhe ndryshimin e këtyre normave kulturore që humorin dhe zbavitjen e shohin të barabartë me seksizëm.

Arsyetimi i interesit komercial të mediumeve dhe përmbajtja populliste e pengon zhvillimin e një diskursi të shëndetshëm publik rreth grave dhe burrave, raportit në mes tyre dhe mënyrës se si rolet e tyre prezantohen si identitete të ‘pranueshme’ gjinore.

 

05 tetor 2015
13:19

Shqipe Gjocaj