Refleksione nga Samiti i Obamës

30 shtator 2015 15:28

Politikave të gabuara ndërkombëtare për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit gradualisht po u vie fundi. Tashmë janë duke u kanalizuar detyra konkrete në një platformë ndërkombëtare në të çilën shtetet kanë bërë bashkë përpjekjet në funksion të arritjes së qëllimit të përbashkët: atë të mposhtjes së ISIL dhe ekstremizmit të dhunshëm. Për më shumë, qëllimi është kuptuar në formë të drejtë: përdorimi i forcës si mjeti i vetëm është i pamjaftueshëm e madje i gabueshëm sepse nuk rezulton në eliminimin e shtetit terrorist të ISIL dhe grupacioneve të saj. Me fjalë të tjera, përdorimi i forcës nuk shpie në mposhtje të ideologjisë sepse pavarësisht se grupet mund të eliminohen, ideologjia do të vazhdoj të mbizotëroj.

Samiti i Obamës për luftimin e ISIL dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm vendosi në pah një formë tjetër të ballafaqimit me këtë sfidë. Fjala është për një qasje gjithpërfshirëse e bazuar në konceptin “poshtë-lartë” (bottom-up) në të cilën shtetet çdo herë e më shumë kanë filluar së angazhuari një spektër të gjerë të akterëve, duke u mbështetur sidomos në akterë me ndikim në shoqëri civile, udhëheqës të komunitetit, udhëheqës religjioz kredibil. Kjo qasje poashtu ngërthen edhe aktivitete siç janë: investime në edukim dhe informim, krijim të programeve kulturore e kështu me rradhë. Kësisoji, konceptit tradicional të kundër-terrorizmit tashmë i është ndryshuar forma në një rrafsh të “butë” dhe me përfshirje të gjerë.

Është më se e qartë që betejat e para vetëm se kanë filluar të dhëjnë fryte – dhe kjo u pa me raste konkrete të parandalimit të përfshirjes së qytetarëve si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak. Dhe jo vetëm. U pa se krahas lansimit të raketave në caqe të ISIS-it, duhet të intensifikohen përpjekjet për bashkëpunime në mes të komunave e bashkësive të caktuara të cilat duhet t’i paraprijnë investime të mëdha financiare. Sigurisht se sfidë në vete mbetën betejat në sferën e rrjeteve sociale në të cilat kundër-narrativat vështirë se mund të mbizotërojnë në raport me narrativat e urrejtes dhe frikë-ndjelljes së ISIL të cilat gjatë ditës mund të kalojnë mbi 80.000 tweets. Kësisoji, pavarësisht se disa beteja mund të jenë fituar, fitorja e luftës ende nuk shihet dhe nuk pritet të shihet në horizont.

Argumenti qendror i gjithë këtij samiti ka të bëjë edhe me thirrjet për de-mitizimin e gjithë kësaj lufte ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Apo, siç me të drejtë u shpreh Kryeministri Britanez David Cameroon, “duhet thyer miti që ISIL është krijesë jahudite apo e ndonjë akteri perëndimor” sepse kësisoji vetëm se po ushqehen artificialisht argumentet dekurajuese në gjithë këtë ballafaqim. Thirrjet për qasje gjithpërfshirëse obligojnë gjithë komunitetet në botë, anëtarët e familjeve e veçanërisht gruajën si akterë me ndikim në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Në të kundërtën, qëndrimi indiferent ndaj kësaj çështjeje do të ketë pasoja afatgjate. 

30 shtator 2015
15:28

Florian Qehaja