Të krijosh apo të kopjosh: Kjo është çështja

30 shtator 2015 16:26

Ditëve të fundit reklama e kopjuar e një kafeje ka qenë hit në rrjetet sociale e në sferën publike të vendit. Sa e përqeshur dhe e pa shije që të jetë, ajo na përcjell edhe një mesazh shumë të rëndësishëm. Atë që i frikësohemi të gjithë, se imitimi i saj është vetëm simptoma e ‘vlerave’ të kësaj shoqërie, dhe se vetëm atëherë kur ato zbulohen e shohim se sa kopjues, imitues e mashtrues të shumtë jemi në të vërtetë. Mjafton të ndalemi në raftet e shitoreve e t’i shohim produktet vendore se si mundohen të kopjojnë ato të huaja. Apo plagjiaturat e shumta e pak të zbuluara, këngët e ‘huazuara’, fushatat elektorale të imituara, lajmet e portaleve të kopjuara dhe shumëçka tjetër.   

Pse atëherë të çuditemi për një reklamë koti, kur jemi të rrethuar nga imitimet e kopjimet në çdo sfere e gati të çdo gjeje?! Sepse, tentojmë të shfajësohemi, synojmë të vet-mashtrohemi nga kjo mungesë e sinqeriteti e pune krijuese. E han pazari, e lejon shoqëria, nuk e bren ndërgjegjja, e qe besa edhe e shpërblen në të shumtën e rasteve. Është rruga e shkurtë, e lehtë e shpejtë, dhe shpeshherë edhe mjaft e sigurt. Prandaj, pse mos të shkohet me imitim kur krijimi kërkon mund, punë, dije e përkushtim e kjo e para veç pak ‘shkathtësi huazuese’ e ‘përshtatjeje’!

Sepse, nuk të bën asgjë shoqëria e zhytur vet në pseudo-vlera, nuk të kritikojnë ata që nuk kanë guxim e dinjitet personal, nuk të bënë gjë as ligji, as kodet etike e as të ‘drejtat’ autoriale. Po japim shembuj, modele e po edukojmë për së keqi këtë shoqëri, se të krijosh do të thotë të mos vlerësohesh drejt e çmohesh si duhet, se kjo është vetëm rruga e ëndërrimtarëve.    

Prandaj, në ketë shoqëri mund të jesh veteran i dal nga trupa artistike, mund të bëhesh i famshëm duke imituar, mund të diplomosh duke kopjuar, mund të arrish grada shkencore me plagjiatura, mund të kopjosh ide e produkte nga më të ndryshme pa një ther në këmbë dhe krejt në fund mund të qeshesh me imitimin e dobët të një reklame dhe të postosh statuse ironike ne facebook. Sepse kjo është pasqyra e realitetit tonë, në të cilën të gjithë ne imitojmë vlerat e paqena. Ne jemi bashkëfajtor, duke imituar fshehurazi dhe duke heshtur e gjetur arsyetime për imitimet e tjetrit. Hej o njeeerzzzz... Shoqëria është këtu!!

 

30 shtator 2015
16:26

Bekim Baliqi