Hej, idiota! Enis klouni o' ktu! Shijoni knaqësinë! Okej, pse jo!

27 shtator 2015 17:15

Falë portaleve tona të shumta që ngarendin pas “lajmeve” sensacionale, të gjithë e njohim Enis Ujkanin përmes një reklame për një markë kafeje, ku ai shfaqet si kopje e zbehtë të Gjorgj Kllunit[1]. Po, pikërisht, është ai (Enisi, jo Gjorgji) që e udhëhiqte emisionin “Super Sfida” në kohën e pikut të shikueshmërisë televizive (“prime time”) mu në RTK, i ashtuquajturi shërbimi publik transmetues.

Mirëpo, sa prej nesh e dinë se ky djali ka qenë producent i show-kuizit televiziv të diturisë “Kush do të bëhet milioner” në gjuhën shqipe. Ky ishte një nga emisionet e rralla kishe-inteligjente që kanë mundur të shfaqin televizionet tona, mirëpo as RTK publik e as stacionet tjera televizive nuk ishin të interesume me e shfaqë atë emision për shikuesit e tyre. Pastaj, ky djali si figurë në biznesin mediatik, e ka kuptu mesazhin që i është përçu nga shtëpitë mediale dhe me gjasë ka kalkulu se çfarë duan mediat dhe çfarë mund t’ju shesë atyne nëse do me mbetë në show-biznes.

Rezultat i mendimit dhe veprimit strategjik të tij ishte një emision kishe zbavitës i quajtur “Super sfida”. Dhe për këtë emision, modele ka pasë jo pak, që nga kafelabat e odeonbrahabazat e deri te utaranovelatpafundekrye e televizioneve të vetëshpallura “të shekullit” e “alternative” në vend. Formula ka qenë lehtë e kuptueshme: bëj diçka sa më banale, në skaj të brutales, e kulmo me arrogancë, se kjo është që shkon në mediat tona. Mundësisht, le të ketë sa më shumë drita me ngjyra, duartrokitje e britma, “spektakël”, “glamur” e “emocion”, dhe ma pak elemente inteligjente që kishin me e prishë letargjinë e trunit, se trunin e kanë shti në gjumë analizat aq “të thella” të tele-analistave pas edicioneve të lajmeve qendrore. Kështu, edhe ky djali arriti të bëhet dikushi që do të çojë në kambë një tufë qikash e djemsh në nji reklamë, si dhe plot të tjerë në realitet, në saje të “Super sfidës” me lojëra infantile, ngjyra, drita, e piskama, e së fundi, me reklamën famkeqe të kafesë.

Ky ishte shpjegimi im i rrugëtimit të Enis Ujkanit si figurë mediatike deri te “enisujkani” si një nga ikonat e show-bizit tonë. Ironizimi i portaleve tona me Enis Ujkanin është meskine. Përpara se me m’kritiku dikush që po kërkoj shumë prej portaleve, dua me sqaru se kjo nuk është kritikë që prej portaleve kërkon ta shkelin parimin e shenjtë të informimit: “një lajm i mirë është lajmi i keq”. Mirëpo, cilat portale raportuan për lajmin e ndërprerjes së show kuizit “Kush do të bëhet milioner?” A nuk qe mjaft lajm i keq që “Milionerit” në shqip iu këputën këmbët qysh në foshnjërinë e tij?!

Enis Ujkani ka lindë si çdo njeri me shanse e pengesa për të realizu veten në biznesin që e ka zgjedhë, por është bërë gjorgj kloun, një palaço, një enisujkan, pra. Dhe, të tillë e kanë bërë kërkesat e mediave tona për të prodhu idiotllëçe. Shpresoj se ne, tashma, e kena të qartë adresën e ironizimit dhe fajësimit për enisujkanat e së tashmes e të së ardhmes, e ajo është media që audiencën e saj po e trajton si idiote dhe po e formëson ti të tillë, duke e thirrë: “Hej, idiota! Enis klouni o’ ktu! Shijoni knaqsinë!” Dhe audienca i përgjigjet këtij interpelimi me një: “Okej, pse jo!” Bash, si në reklamë.

______________

[1

27 shtator 2015
17:15

Gëzim Selaci