Demokratizimi fiskal, peng i betejave politike

22 shtator 2015 13:54

Qeveria e Kosovës i cilësoi ndryshimet e fundit fiskale si një çast vendimtar në riorientimin e politikave publike në mbështetje të zhvillimit ekonomik. Madje, ajo u përpoq ta paraqesë arsyeshmërinë e këtyre ndryshimeve duke u thirrur në parimet e drejtësisë sociale, siç është ulja e kostos së jetesës për qytetarët e varfër të vendit.

Por, qëllimi kryesor i reformës, e cila hyri në fuqi disa javë më parë, ishte, para se gjithash, një përpjekje për ta vënë në lëvizje procesin e domosdoshëm të konsolidimit fiskal. Ky konsolidim u bë i nevojshëm si reagim ndaj lëkundjes së qëndrueshmërisë buxhetore, e cila rezultoi nga vendimet elektorale të qeverisë paraprake. Hapësira fiskale, e cila ekzistoi pas shpalljes së pavarësisë, u ngushtua përmes shpenzimeve të cilat kryesisht shpërblyen elektoratin klientelist, duke mos kthyer prapa të hyra të reja për buxhetin.

Kësisoj, Qeveria aktuale është nën presion të identifikojë burime të reja të të hyrave, synim i së cilës është rivendosja e qëndrueshmërisë buxhetore. Është pikërisht kjo brishtësi fiskale, arsyeja përse ndryshimet e fundit tatimore paraqesin vetëm fillimin, por jo fundin, e konsolidimit fiskal.

Mesazhi për qytetarët mbetet fakti që ata mund të ndeshen me tatime të reja në të ardhmen për rikthimin e stabilitetit fiskal. A pritet të ndodhë kjo?

Qeveria tashmë ka planifikuar themelimin e fondit për sigurimet shëndetësore, e cila pritet të financohet përmes një tatimi të ri në paga, që do te prekë punëdhënësit e punëtorët njëlloj. Qeveria poashtu planifikon vendosjen e një tatimi të ri ndaj pronarëve të tokës, në mënyrë që, përveç mbledhjes të hyrave të reja, ta bëjë më të kushtueshëm mospunimin e saj. Ndërkaq, shkaku i nivelit të ulët të buxhetit infrastrukturor për mirëmbajtjen e rrugëve të reja, Qeveria do të detyrohet, herët apo vonë, ta kushtëzojë qarkullimin me taksa të reja rrugore.

Ndërkohë, krahas nismës së Qeverisë për faljen e borxheve, është i pritshëm përforcimi i përpjekjeve për vjeljen e detyruar të tatimit në pronë, e cila vazhdon të shmanget gjerësisht. Por, një seri hapash të tillë, apo të tjerë të pathënë, ndonëse të domosdoshëm, nuk mjaftojnë për rivendosjen e qëndrueshmërisë afatgjate të financave publike.

Kjo për shkak se jostabiliteti fiskal nuk buron nga paaftësia teknokratike e politikbërësëve, por nga natyra e presioneve politike, e cila ka për qëllim, thuajse ekskluzivisht, mirëmbajtjen e statuskuosë elektorale. Praktikat e deritanishme flasin për programimin e parasë publike sipas tekeve elektorale, apo nevojës së zgjërimit të rrjeteve klienteliste, dhe jo sipas meritave apo kritereve zhvillimore.

Mirëpo, synimi nuk duhet të jetë de-politizimi i planifikimit buxhetor, meqë çfarëdo lloj forme e (ri)strukturimit të buxhetit paraqet në vetvete një akt politik. Ajo çfarë duhet të ndryshojë, rrënjësisht, në procesin e planifikimit buxhetor, është imponimi i “kontrolleve teknokratike”, të cilat disiplinojnë orekset elektorale të pushtetmbajtësëve.

Pikënisja e këtij procesi duhet të jetë ridefinimi i kritereve të cilat do të duhej ta udhërrëfenin procesin e planifikimit të shpenzimeve buxhetore. Kriter kyç është vlerësimi adekuat i ndikimit zhvillimor nga alokimi alternativ i parasë publike dhe ridrejtimi i saj tek sektorët me kthimin më të lartë të mundshëm shoqëror.

Ta zëmë, një euro e investuar në ndërtimin e rrugëve nuk ka si të jetë e njejtë për nga ndikimi zhvillimor, krahasur me investimin e po të njejtës shumë në shkollimin cilësor të një të riu. Kritere të tjera përfshijnë buxhetimin në bazë të performancës paraprake, si dhe kapacitetin rigjenerues të shpenzimeve për të sjellur prapa të hyra të reja për buxhetin.

Mirëpo, meqë kjo formë e “demokratizimit fiskal” mbetet peng e betejave elektorale, është e kotë të mendohet që reformat si kjo e fundit janë të mjaftueshme për rikthimin e plotë të stabilitetit fiskal. 

22 shtator 2015
13:54

Artan Loxha