Ministri i djathtë, politikat e majta

09 shtator 2015 13:59

Kujtim Shala, ministri i Kulturës, i përket një partie të deklaruar si e djathtë. Prej që është emëruar në këtë pozitë, vendimet e para dhe me gjasë të vetmet që do i mbahen mend janë ato kundër një grupi të madh të institucioneve të pavarura të kulturës.

Fillimisht, këto vendime kishin të bënin me mënyrën se si vendosi t'i ndajë fondet, e që janë të dedikuara për këto institucione. Dhe kjo ndarje erdhi padyshim sipas tekeve dhe qejfeve të komisioneve të krijuara po nga ministri. Kjo ndarja e tekeve u arsyetua që Ministria duhet të mbështesë edhe aktivitete tjera kulturore, e me një theks të veçantë u tha që do mbështesin ato aktivitete që do promovojnë vlerat tradicionale.

Se ç'kupton ministri me këto promovime të vlerave tradicionale, ne nuk e dimë, e me gjasë nuk i di as ai vetë. Por e rëndësishme është që ministri të mos mbështesë këtë grup të institucioneve të kulturës. Pas vendimeve kryeneçe në ndarjen e fondeve, ministri bëri edhe një hap.

Së fundmi, z. Shala ka inicuar një procedurë për të larguar Stacion-Qendra për Art Bashkëkohor nga zyrat që ky institucion i pavarur i kulturës ka zhvilluar aktivitet me vite. Pra, ministri po avancon në politika-nga ndalja e fondeve në largimin nga zyrat që institucionet kanë zhvilluar punë.

Së pari, kjo qasje tregon që djathtisti Shala s'po i qëndron linjës së tij partiake e ideologjike. Partitë e djathta zakonisht duan që të ketë më pak shtet e më shumë hapësirë për njerëzit e institucionet që nuk janë shtetërore e publike. Ndërsa, z. Shala do që zhvillimi i aktiviteteve kulturore të shkojë sipas konditave të tij - në këtë rast duke diktuar mënyrën e ndarjes së fondeve.

Dhe e dyta, vendimet për largimin e institucioneve të pavarura të kulturës nga hapësirat që janë. Pra, z. Shala po tenton që gjithë aktivitetin kulturor ta ketë nën kontrollin e tij dhe nën diktatin e tij. Me gjithë vendimet kontroverse dhe haptazi politike të kësaj udhëheqje të Ministrisë, është problematike të mendojmë që brenda këtij institucioni të ketë individë me minimumin intelektual që të besojnë se në sistemet demokratike arti dhe kultura me patjetër janë kundër dhe përballë politikës.

 Dhe kjo, jo vetëm për të qenë ë tillë, por për të ekzistuar si formë reagimi dhe revolte ndaj qeverisjes, cilado qoftë ajo. Në fakt, arti nuk do ishte i tillë, nëse ai do ishte përkrah politikës dhe vendimmarrjes, por, përkundrazi, përballë saj dhe kundër saj. E mbi këtë logjikë duhet t’i shohë edhe z. Shala aktivitetet kulturore të institucioneve të pavarura. Pra, t'i shohë si vlera shoqërore të domosdoshme për shoqërinë, e jo si pengesa për pushtetin e tij dhe ministrisë që ai udhëheqë.

09 shtator 2015
13:59

Petrit Zogaj