Dështimi: modeli i "djathit zviceran"

09 shtator 2015 14:20

“Kosova po dështon si shtet. Po dështojmë si shoqëri.” Këta janë titujt e deklaratat pompoze që i lexoni gjithandej, zakonisht të nxjerra nga një çështje e vetme. Në fakt, për ta kuptuar dështimin, duhet parë përtej këtyre çështjeve individuale, qofshin ato politike, sociale a ekonomike.

Një model i njohur botërisht që shpjegon mënyrën se si ndodhin dështimet është ai i “Djathit Zviceran,” përmes së cilit mund të shpjegohet më se miri se si ndodhin krizat, dështimet, e ‘katastrofat’ edhe te ne në Kosovë.

Ky model e shpjegon në mënyre simbolike se deri tek dështimet totale arrijmë kur disa masa sigurie dështojnë. Nëse kemi defekt në njërën masë të sigurisë atëherë rreziku duhet ndaluar në masën tjetër, dhe, nëse rreziku kalon pjesën e dytë të sigurisë atëherë duhet patjetër të evitohet në masën e tretë, e kështu me rrallë.

“Djathi zviceran,” pra ai djathi me vrima që e shihni nëpër markete apo filma te animuar, është mënyra më e mirë vizuale e paraqitjes. Nëse e preni djathin në disa pjesë, atëherë edhe vrimat do të mbesin nëpër të gjitha pjesët e prera. Sipas modelit, nëse vrimat janë në të gjitha shtresat paralelisht, atëherë rreziku kalon shtresat dhe ndodhë dështimi total, apo katastrofa.

Me shtresa, mund të kuptojmë fushat e ndryshme të jetës apo politikat e ndryshme publike: qeverisjen, politikat zhvillimore, ato fiskale, etj. Me vrima, natyrisht, nënkuptohen dështimet individuale nëpër këto fusha.

Tash shikojeni edhe një herë paraqitjen grafike dhe paramendojeni Kosovën. Do ta vëreni se përgjegjësia për dështimin total (të shtetit, shoqërisë) i takon më shumë se vetëm një “shtrese”. Secila shtresë ka pasur vrimat e veta përmes të cilave rreziku, pa u penguar, është kthyer në katastrofë.  Intelektual, patriot, qeveri, opozite, shoqëri civile, gazetar, shkrimtar, ekonomist, jurist, unë, ti, ai, ajo... Të gjithë kemi përgjegjësi në dështim.

 

 

09 shtator 2015
14:20

Bujar Ejupi