Të jetosh me rrezikun

08 shtator 2015 17:17

Pesëmbëdhjetë vite më parë, ishim qytetarët më të rrezikuar në Evropë. Ky rrezik vinte nga lufta, e cila kërcënonte qenien tonë. Pesëmbëdhjetë vite më pas, sërish jemi qytetarët më të rrezikuar në Evropë. Tani rreziku bie mbi mirëqenien tonë.

Ky rrezik manifestohet me të jetuarit në një nga mjediset më të ndotura. Me papunësinë e zhvillimin e ulët ekonomik, i cili sjell kequshqyerjen dhe të jetuarit një jetë në kufi të mbijetesës. Ky rrezik na vjen edhe nga keqqeverisja, shërbimet publike që nuk na ofrohen, kujdesi shëndetësor që nuk e marrim, arsimin kualitativ që nuk na e japin.

Secili nga ne, i vetëdijshëm apo jo, jeton çdo ditë me këtë lloj rreziku. Rrezik kur kalon lumin, i cili më së paku ka ujë, e shërben si kanalizim e vend-hedhje mbeturinash. Rrezik sa herë hap dritaren e shtëpisë, ku pluhuri i një gurëthyesi aty afër nuk të lë të marrësh frymë. Rrezik nga ushqimet, të cilat importohen nga secili vend i botës, pa kontroll cilësie, e ushqime të destinuara për kafshë. Rrezik nga zhurma, ku ju nuk mund të flini të qetë nga ndotja akustike që lëshojnë lokalet apo mjetet e transportit. Madje, rrezik edhe nga synetitë e dasmat, ku ju rrezikoni që të goditeni nga një plumb qorr, i shkrepur në një aheng dhjetëra metra larg.

Këto rreziqe kanë zënë vend në mungesë të ligjit. Në mungesë të punës së administratës shtetërore, e cila punëson mbi 90 mijë veta, e shpenzon 540 milion euro në vit për pagat e këtyre shërbyesve publik. Mjete buxhetore të cilat mblidhen nga qytetarët, për të ofruar ato shërbime që nuk po na ofrohen.

Ky rrezik në mirëqenien tonë dhe dështimi i shtetit vërehet më së miri në sektorin e shëndetësisë. Kushdo që ka pasur fatin e keq që të ketë nevojë për shërbimet në qendrat spitalore në Kosovë, do të ketë përjetuar zhgënjimin më të madh me këtë qeverisje, hidhërimin e nervozen më të madhe, pafuqinë e tij si qytetar i këtij vendi.

Askush nuk është aq me fat sa të shmang nevojën e mjekut, qoftë personalisht apo të një anëtari të familjes. Këtë fat nuk e kishte as Blinera, pesëvjeçarja nga Vushtrria, e cila ditë më parë ndërroi jetë nga sëmundja, e cila nuk u trajtua me kohë për shkak të neglizhencës së personelit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Liria nuk nënkupton vetëm lirinë nga persekutimi politik. Sipas nobelistit Amartya Sen, liria nuk është kurrë e plotë nëse qytetarët e një vendi nuk kanë edhe lirinë ekonomike, e cila ua grabit njerëzve lirinë për të shuar urinë, për të siguruar ushqim të mjaftueshëm, për të siguruar shërbime shëndetësore adekuate, për të shijuar ajër të pastër e për t’u edukuar.

Edhe më tutje kosovarët jetojnë me rrezikun. Rrezik që na sjell keqqeverisja. Keqqeverisje që manifestohet me korrupsion e nepotizëm. Qeverisje e cila shpërblen anëtarët e familjes së Kryeministrit, ministrave e kryetarëve të komunave, por e cila ua mohon liritë substanciale pjesës tjetër të popullsisë. Qeverisje, e cila i konsideron për asgjë 2.900 euro të taksapaguesve, por nuk arrin t’i sigurojë aq për të mbështetur koston e mjekimit të shumë qytetarëve në nevojë për shërbime shëndetësore.

Pesëmbëdhjetë vite më parë, mobilizimi shoqëror solli liritë politike. Pesëmbëdhjetë vite më pas na nevojitet një mobilizim i ri qytetar. Mobilizim, i cili sjell qeverisje me mendësi të re, e cila është e aftë që të sigurojë liritë ekonomike. Qeverisje e cila na siguron mirëqenien.


 

08 shtator 2015
17:17

Agron Demi