Tragjedia e refugjatëve sirianë na detyron të ofrojmë dihmë

03 shtator 2015 13:53

 

Kisha të veshura një palë “trenerka” ngjyrë të verdhë në momentin kur na nxorrën nga shtëpia. Me ato “trenerka” të cilat binin në sy udhëtova  prej një shtëpie në shtëpinë tjetër, prej një shteti në shtetin tjetër. I kam patur të veshura për një kohë te gjatë, përgjatë jetës sime, fatmirësisht të shkurtër, refugjate.

Fotografia e fëmiut sirian me bluzë të kuqe e pantollona të shkurtër të kaltërt që u shpërnda në botë dje, i preku pak a shumë të gjithë ata që i njoh.  Disa vendosën t’a ndajnë një postim për të në rrjete sociale, disa nuk donin të flisnin më për luftën, e shumica e gjykuan ashpër trajtimin e refugjatëve sirian - por të gjithë mbetën të prekur thellësisht nga ai imazh, të cilin një fëmij nuk duhet ta shoh kurrë, e lëre më ta përjetoj.

Gjatë luftës në Kosovë, gjysma e popullatës shqiptare përfundoi jashtë kufijve, dhe një numër i madh akoma vazhdon të strehohet në vende të tjera. E kemi sadopak një obligim moral që të tregojmë se e vlerësojmë mikëpritjen që na është ofruar neve kur edhe ne iknim nga dhuna dhe vrasjet.

Si gjeneratë e pasluftës, ne vazhdojmë t’i bartim këto kujtime të hidhura brenda neve dhe asnjë popull tjetër Evropiane nuk mund të kuptoj më mirë se ne tragjedinë e të qenurit refugjatë në kërkim të një strehe për ta shpëtuar familjen. Tragjedia e refugjatëve sirianë është një moment ku ne si Kosovarë duhet t’i mësojmë gjeneratat e reja se si të jemi aktiv për të ofruar ndihmë tjerëve në momente më të vështira të jetës së tyre.
Në një kohë kur në mesin tonë mbizotëron një molisje shoqërorë për traditat tona të mikëpritjes e bujarisë, ne medoemos duhet të tregojmë se i posedojmë këto vlera fundamentale me të cilat na pëlqen të mburremi.

Asgjë nuk do të ishte më bujare në këtë moment  se sa strehimi i nje numri modest të refugjatëve sirianë duke ju ofruar përparësi grupeve më të rrezikuara sic janë fëmijët, gratë, dhe të moshuarit. Një ndihmesë e tillë më tepër tregon zemergjërësine dhe gatishmërinë të ndihmuar se sa për të ndryshuar kahjen e krizës.  

Përderisa, trupi i pajetë i atij fëmiu në plazhë simbolizon brutalitetin e luftës dhe shkatërrimin e një gjeneratë të tërë Siriane, kjo tragjedi mund të të shnderrohet edhe në një simbol të solidaritetit, bashkimit, dhe njerëzimit tonë në momentet më të errëta në jetë. Mbetet të shihet si duam të mbahemi mend.

 

03 shtator 2015
13:53

Emira Ajeti