Ligji i ri mbi TVSh-në i rritë çmimet

01 shtator 2015 13:46

Ligji i ri i tatimit mbi vlerën e shtuar, si pjesë përbërëse e “paketës fiskale” të Qeverisë, është promovuar si i rëndësishëm për t’ju ofruar lehtësira familjeve të varfëra kosovare.

Përmes krijimit të normës së re të reduktuar të TVSH-së për produktet bazike, qëllimi deklarativ i Qeverisë është ulja e kostos së jetesës për shtresat e varfëra.

Shpresa kryesore e Qeverisë është që norma e reduktuar prej 8 përqindesh mbi produktet bazike do të prodhojë çmime më të ulëta për familjet e varfëra.

Kjo shpresë bazohet mbi faktin që rreth gjysma e buxhetit të familjeve kosovare shpenzohet, mesatarisht, në ushqime bazike dhe pije joalkoolike.

Guximi për ta ndërmarrë këtë hap u forcua nga vlerësimi që këto ndryshime do të kishin efekte pozitive për mbushjen e arkës së shtetit.

Pra, ulja e TVSH-së për produktet bazike do të mund të kompenzohej lehtësisht me rritje të TVSH-së mbi produktet e tjera.

Për më tepër, ulja e TVSH-së mbi produktet bazike nuk paraqiste ndonjë problem të ndërlikuar fiskal: ajo përbën jo më shumë se 5% të të hyrave totale nga TVSH-ja.

Por, qeveria duhet të ishte më skeptike ndaj vlefshmërisë së supozimit që kjo ulje e TVSH-së do të përkthehej në ulje çmimesh.

Ulje çmimesh nuk do të ketë. Në fakt, do të ketë ngritje.

Përfituesit kryesorë nga kjo reformë do të jenë tregtarët importues, dhe jo konsumatori i rëndomtë.

Në një ambient ekonomik ku çmimi përcaktohet nga akterët privatë, është në lirinë e tregtarëve ta kapitalizojnë uljen e TVSH-së duke zgjëruar profitin e tyre, pa e kaluar atë në formën e çmimit të ulur te konsumatori.

Ndërkohë, ngritja e TVSH-së për produktet “jobazike” vërehet qysh sot të jetë absorbuar në formën e çmimeve më të larta në dyqanet kosovare.

Pra, konsideroj që Qeveria do ta ketë hamendësuar – mjaftueshëm – këtë epilog, duke qenë relativisht e bindur për efektet përgjithësisht inflacionare të ligjit të ri mbi TVSH-në.

Por, argumentet mbi luftimin e varfërise duket të kenë shërbyer si mbulesë e nevojshme për ta arsyetuar një qëllim tjetërfare të ligjit të ri: atë të zgjërimit të hapësirës tejet të ngushtuar fiskale.

Përmes ndryshimit të ligjit të TVSH-së, Qeveria do të arrijë të arkëtojë dhjetra miliona euro shtesë për arkën e shtetit, në kohën kur, shkaku i vendimeve elektoralisht profitabile viteve te fundit, u krijua një gropë e konsiderueshme fiskale.

Krahas rritjes së pagave në sektorin publik, grupe të fuqishme të interesit, mes tjerash edhe veteranët e luftës dhe ish të burgosurit politikë, arritën të kapin copëza të konsiderueshme të buxhetit të vendit.

Është pikërisht ky presion fiskal mbi Qeverinë e re, arsyeja kryesore përse nevojitej ky ligj i ri për TVSH-në.

Asaj iu desh t’i ruante pjesën më të madhe të zotimeve të qeverisë paraprake, si dhe t’i mbajë të kënaqura grupet e interesit, në përpjekje për ta ruajtur paqen sociale.

Fatura e këtij “balancimi politik” na vjen sot në formën e çmimeve më të larta.

Qeveria, sot, do të duhej pranuar, publikisht, synimin kryesor të këtij ndryshim-ligji mbi TVSH-në – atë të zgjërimit të hapësirës fiskale – dhe jo ta mbështjellte atë përmes një petku humanitar.

01 shtator 2015
13:46

Artan Loxha