FAK-u, paaftësia për të rezistuar dhe elita politike

01 shtator 2015 13:38

Deklarimi i fundit i Kryeministrit se Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) mund të themelohen pa proceduar ndryshimet kushtetuese në Kuvend përbënë një zbrapsje klasike nga procesi i përmbylljes së ciklit shtetë-ndërtues. Them kështu për arsye se, së paku nominalisht, cikli shtetëndërtues në Kosovë do të përmbyllet me themelimin e ushtrisë – përkatësisht FAK – që doli nga një procesi legjitim e profesional i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS). Në një logjikë shumë të thjeshtë, nëse juridikisht ka hapësirë për manovrim në legjislacion primar - e Kushtetuta nuk do të përbënte problem – atëherë pse kjo bujë aq e madhe që 4 vite në funksion të krijimit të ushtrisë? Pse u desht një proces aq i kushtueshëm siç ishte RSSS dhe një llobim i miqve kyç të Kosovës për nevojën e formimit të FAK? Pse u desht që të lihej motivi i oficerëve dhe pjesëtarëve të FSK-së në “ajër” që afro 2 vite? Këtyre pyetjeve duhet të ju përgjigjet vetëm Qeveria.

Procesi i formimit të FAK duhet të kaloj vetëm nëpërmjet amandamentimit të Kushtetutës siç kërkohet në mënyrë taksative me RSSS. Mungesa e komponentës së mbrojtjes ishte një dobësi e thellë e Planit të Ahtisaarit, gjë që edhe këshilltarët ushtarak të tij pranuan se u bë për të “relativizuar” reagimin e Beogradit dhe në dëm të nevojës së shtetit për ta pasur ushtri. Në konstelacionin politik ekzistues, sigurisht se projekti i quajtuar FAK nuk duhet parë të izoluar: unë e shoh atë, me apo pa dashje, në trekëndshin: gjykatë speciale, FAK dhe Asociacion të Komunave Serbe. Dhe, në këtë kontekst, nga perspektiva e shumicës shqiptare në Kosovë, FAK shihet si e vetmja “karrotë” përderisa gjykata speciale dhe Asociacioni shihen si “shkop”. Siç tentoi ta arsyetoi një kolegë ndërkombëtar në “stilin e Brukselit” se gjykata speciale dhe Asociacioni reflektojnë obligime ndërkombëtare të Kosovës përderisa FAK përbën “çështje të brendshme”! Nëse këto obligime ndërkombëtare shihen nga perspektiva e legjitimitetit duke iu referuar, psh: nevojës së krijimit të Asociacionit si kërkesë “organike” e serbëve të Kosovës atëherë pse nuk shihet ngjajshëm legjitimiteti popullor i krijimit të FAK? Barometri Kosovar i Sigurisë ka treguar që 87% e qytetarëve janë në favor të krijimit të FAK.

Nëse i kthehemi edhe njëherë deklaratës së Kryeministrit, kjo reflekton një qasje konsistente të elitës ekzistuese politike e cila nuk është në gjendje të rezistojë deri në arritjen e qëllimeve madhore. Nuk them që kjo Qeveri dhe Kryeministri nuk kanë dëshirë për themelimin e FAK. Përkundrazi, mendoj që dëshira ekziston në të gjitha nivelet mirëpo mungesa e aftësisë për të këmbëngulur karshi faktorit ndërkombëtar, siç do të thoshte shkenctari politik William Bain, përbënë një ndër problemet thelbësore të elitave në vendet me traditë të vogël shtet-ndërtuese. Kosova qartazi përbën rast eklatant.

Si rrjedhojë, Qeveria në fund edhe mund të votoj Asociacionin, pa dashur që këtu të komentojë dykuptimësit dhe ndjellja e një frike në dëm të interesave të shumicës. Por, votimi i saj, nëse vendoset të bëhet, duhet të bëhet me rradhë, pra pas kalimit të FAK. E për kalimin e FAK në Kuvend, duhet të forcohen “muskujt” për rritjen e rezistencës, vendosjen në lojë të bashkësisë ndërkombëtare dhe bindjes së Listës Serbe se FAK-u është një detyrim që duhet të kalohet para së gjithash.   

01 shtator 2015
13:38

Florian Qehaja