Rritja e buxhetit nuk është zgjidhje

31 gusht 2015 14:36

Në sferën publike është krijuar një bindje se të gjitha problemet do zgjidheshin përmes rritjes së buxhetit publik. Shëndetësia do ishte më mirë; mjedisi do ishte më i pastër; kultura dhe sporti do zhvilloheshin; do rritej edhe kualiteti në arsim.

Megjithatë, faktet tregojnë se veç më shumë buxhet nuk do të ndikojë që të marrim shërbime më të mira publike. Në shtatë vitet e fundit, buxheti i shëndetësisë është rritur për 124%, buxheti për arsim për 108%, ai për kulturë për 283%, për mbrojtje të mjedisit 323%.

Kjo rritje e buxhetit nuk është përcjellë edhe me rritje të performancës. Më 2015, gjendja e mjedisit në Kosovë është më e rëndë sesa shtatë vjet më parë. Kualiteti i arsimit në të gjitha nivelet, sidomos arsimi universitar, është në nivel të ulët. Shërbimet shëndetësore nuk po përmirësohen. Për këta dhe sektorë të tjerë, më shumë buxhet ka nënkuptuar ngritje të pagave, punësime shtesë, infrastrukturë të re... Por, jo edhe menaxhim më të mirë, dhe, rrjedhimisht, shërbime më të mira.

Andaj, në vitet në vijim, para se të mendohet për mënyrat se si të shtohet më shumë buxhet për këta sektorë publik, institucionet duhet të mendojnë se si të përmirësojnë menaxhimin. Është e kotë ndarja e dhjetëra miliona eurove më shumë, kur menaxhimi i atyre mjeteve është përgjegjësi e një daje që e ka rahatu politika; një drejtori të shkollës apo dekani i cili nuk ka pasur sukses në zgjedhje dhe i është nda një post në arsim; një ministri, i cili pasi ka dështuar me shëndetësinë, i besohet detyra e mbrojtjes së mjedisit; apo krerëve të institucioneve kulturore të cilët ndërrohen pas secilave zgjedhje.

Në këso situatash, kur nuk ka menaxhim më të mirë, më shumë buxhet nënkupton më shumë keqpërdorim të parasë publike.

 

 

31 gusht 2015
14:36

Agron Demi