Marrëveshja për asociacionin i eviton rreziqet e bosnjëzimit

26 gusht 2015 11:35

Marrëveshja e arritur mbrëmë në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë rreth asociacionit të komunave serbe – të cilën të plotë mund ta lexoni këtu – i krijon kornizat e një institucioni i cili nuk sqarohet se çfarë është me emër por i cili, në bazë të përshkrimit të mandatit, duket larg nga të qenit ndonjë trup etnik me fuqi bllokuese dhe sabotuese sipas modelit të Bosnjës, apo një entitet autonom që do të ketë bazë të mjaftueshme ligjore për shkëputje eventuale prej Kosovës. Kjo për shkak se marrëveshja i evitoi tre rreziqet kryesore që mund të vinin prej një asociacioni etnik.

Rreziku i parë që u eliminua ishte krijimi i një niveli të ri të pushtetit ekzekutiv që do të dilte përtej kornizës institucionale të Pakos së Ahtisaarit. Nga përshkrimi i mandatit, asociacioni i ngjan shoqate joqeveritare ku komunat serbe mund të mblidhen, të zbatojnë projekte dhe të japin rekomandime, por pa pasur fuqi ekzekutive mbi cilindo trup të qeverisjes në Kosovë – qoftë ky komunal, apo i nivelit qendror. 

Ç’është më e rëndësishmja, asociacioni kufizohet nga ligjet ekzistuese në Kosovë. Ndonëse përmendet mundësia që shoqata të mund ta ndryshojë statutin kur të dojë, marrëveshja nuk krijon kurrfarë baze embrionale ligjore që ky asociacion të mund t’i zgjerojë kompetencat e veta përtej asaj që thuhet në marrëveshje dhe përtej ligjeve të Kosovës. Çdo përpjekje e tillë do të mund të rrëzohej nga Gjykata Kushtetuese. Me fjalë të tjera, gjasat që ky asociacion të mund të shpallte autonomi territoriale janë po aq të mëdha sa gjasat që një OJQ në Kosovë të mund t’ia ndryshojë vetes destinacionin në kompani private ose ta shpallë veten shtet.

Rreziku i dytë që u eliminua ishte që legjitimiteti i asociacionit të buronte prej votës së drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës. Kjo do t’ia jepte asociacionit një natyrë dhe peshë krejt tjetër politike si organ etnik dhe përfaqësues i serbëve të Kosovës. Në vend të kësaj, burim i legjitimitietit janë komunat e Kosovës, për të cilat votohet në bazë të ligjeve të Kosovës. Ato do të jenë themeluese të shoqatës dhe do t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në asociacion, ashtu siç janë sot komunat e Kosovës krijuese të Asociacionit të Komunave, apo të Agjencive Rajonale të Zhvillimit. Si e tillë, nga pikëpamja ligjore dhe politike, asociacioni është po aq i rrezikshëm për shtetësinë tonë sa janë komunat ekzistuese me shumicë serbe apo Lista Srpska në nivelin qendror.

Rreziku i tretë që u eliminua ishte natyra territoriale e asociacionit. Është mirë që asociacioni nuk vlen vetëm për komunat e veriut, por për të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Krijimi i një asociacioni të ndarë për veriun do ta veçonte atë si territor specifik dhe, marrë parasysh natyrën më të veçantë të problemit atje dhe afërsisë me Serbinë, do të mund ta krijonte njësinë institucionale dhe politike e cila do të mund t’i printe thirrjes për ndarje të Kosovës. Kësisoj, duke e pasur brenda vetes edhe Shterpcen e Graçanicën – pra duke qenë njëfarë asociacioni i një grupi etnik dhe kulturor brenda Kosovës si tërësi – asociacioni si trup nuk mund ta luajë këtë rolin e agjentit të ndarjes territoriale.  

Arritja e një marrëveshjeje të tillë është një lajm i mirë. Por, si zakonisht, sfidë mbetet zbatimi. Zvarritja dhe pabesia janë zakon i shtetit të Serbisë, përkundër faktit se garantuese e marrëveshjes është BE-ja, me të cilën Serbia po kërkon që t’i hapë kapitujt e negociatave për anëtarësim. Dëshira për ta përshpejtuar këtë proces është me gjasë arsyeja përse Serbia e pranoi një marrëveshje të tillë në këtë moment pas vitesh zvarritjeje, me shpresën se mund të fitojë pikë te BE-ja e të vazhdojë zvarrisë në zbatim. 

26 gusht 2015
11:35

Agon Maliqi