Mësimet nga “saga” Tsipras

24 gusht 2015 19:52

Ditë më parë, Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras dha dorëheqje, që sipas të gjitha gjasave do të dërgojë Greqinë në zgjedhje të parakohshme, vetëm tetë muaj pas fitores në zgjedhjet e janarit. Kështu përfundoi, njëherë per njëherë, eksperimenti i qeverisjes së Greqisë nga Syriza, parti e ekstremit të majtë. Mirëpo, nëse shikojmë pak më thellë, “saga” e udhëhequr nga Tsipras përveç që mbajti të tensionuar skenën politike e ekonomike Europiane, e besa edhe atë botërore, me negociatat ndërmjet “Troikes” dhe Greqisë, nxori në pah edhe disa mësime që do të ridefinojnë të mundurën dhe të pamundurën në politikën europiane.

Mësimi i parë që mund të nxjerrim është që sovraniteti i shteteve nuk është çfarë ka qenë me parë. Argumenti kryesor i përdorur nga pala Greke në negociata me kreditoret pas zgjedhjeve të janarit ka qene që qeveria e re ka marrë mandat nga populli grek që t’i thotë jo kërkesave për politika të shkurtimit, t’i thotë jo uljes së pensioneve, zvogëlimit të sektorit publik, rritjes së taksave dhe privatizimit. Mirëpo duket se ky argument të mos ketë pasur shumë mirëkuptim tek pala europiane, e sidomos Gjermania. Është i famshëm tanimë komenti i Ministrit Gjerman të Financave që “ ne nuk mund ti ndërrojmë politikat sa herë të ketë zgjedhje “. Kjo qasje mospërfillëse për vullnetin e popullit grek u bë edhe me e qartë pas referendumit të 5 korrikut, kur përkundër një vote mbresëlënëse “JO” nga populli grek, kreditoret insistuan në politika edhe më te ashpra. Sot, shteti grek nuk mund te aprovojë asnjë ligj pa dakordim fillestar me teknokratët e “Troika”-së. Për më tepër, rreth 50 miliardë euro asete shtetërore janë te destinuara për privatizim dhe te gjitha të ardhurat do të mbikëqyren nga kreditoret europian.

Mësim tjetër që mund të nxjerrim është se politika e ekstremeve funksionon në opozitë, por nuk është shume efikase në qeverisje. Syriza fitoi zgjedhjet e janarit duke premtuar një kthim drastik nga politikat e qeverive te mëparshme: rritjen e pagës minimale, anulim dhe ndërprerje te privatizimeve, mbajtjen e politikave pensionale dhe zgjerimin e mëtejmë te sektorit publik. Në të vërtetë, pas marrëveshjes me “Troiken”, Tsipras dërgoi ne Parlament dhe aprovoi ligje e politika të cilat jo vetëm që nuk implementuan asnjë nga premtimet e tij elektorale, mirëpo vendosen masa shumëfish me të ashpra në shumë fusha. Duket që Tsipras tentoi ti përgjigjet kryetarit të liberaleve europian, Guy Verhofstad i cili e pyeti: “a dëshiron të mbahesh mend si një rastësi elektorale, apo si njeriu i cili implementoi reforma që e nxorën Greqinë nga humnera?” Për me tepër, Tsipras, duke parë që sot lufta ideologjike zhvillohet rreth qendrës, ose në të majtë ose në të djathtë, vendosi të lëvizë nga ekstremi duke rrezikuar edhe ndarjen e partisë. Në Europën moderne nuk ka më parti të ekstremeve që mund të qeverisin suksesshëm, meqë politika shtetërore në kohen e globalizimit tejkalon kufijtë, deshëm apo s’deshëm. Tsipras e ka kuptuar këtë. Do të mbetët të shihet nëse ky transformim i tij do të rezultojë edhe ne këndelljen ekonomike të Greqisë.

Por si do të reflektojnë këto zhvillime në prospektet politike të Tsipras? Unë besoj që përkundër gjithë ngjarjeve, Tsipras do të fitojë shumicën në zgjedhjet e ardhme, jo për hir të politikave po për hir të mungesës së alternativës. Përkundër dështimit në negociatat me “Troiken”, Tsipras u ka vërtetuar votuesve grekë se mund të negociojë duke ofruar alternativa të elaboruara mirë, edhe pse ato nuk i kanë pëlqyer palës tjetër. Në të njëjtën kohë, duke arritur të kalojë paketën e reformave në Parlament, ai i ka bindur partnerët europianë se eshtë lider që mban fjalën. Mbi të gjitha, në këta muaj të qeverisjes, Tsipras i ka vërtetuar votuesit grek që nuk është i korruptuar dhe mund të ofrojë një qeverisje çfarë Greqia nuk e ka pasur për një kohë të gjatë. Në fund të fundit zgjedhjet më shpesh fitohen për mungesë alternativash sesa duke implementuar atë që është premtuar. E në Greqi alternativat janë konsumuar tash e sa kohë.

24 gusht 2015
19:52

Bernard Nikaj