Shënjtërimi i akademikëve

18 gusht 2015 14:28

Çdo shoqëri, cila më pak e cila më shumë, e ndjen njëfarë nevoje për të pasur prijës shpirtëror - njerëz me autoritet të cilëve masat u mveshin tipare deri edhe hyjnore, si dhe ua projektojnë shpresat e tyre. Kjo nevojë buron nga një impuls infantil, i ngjashëm me nevojën për figurën autoritare të babës. Me fjalë të tjera, kur në fëmijëri mësohesh me modelin e babës së pakontestueshëm, si dhe me rolin tënd të nënshtruar në raport me të, të njëjtën marrëdhënie do ta kërkosh edhe jashtë shtëpisë, si pjesëtar i rritur i një shoqërie.

Sa më infantile dhe e papjekur të jetë një shoqëri, aq më të fortë do ta ketë nevojën për figura autoritare dhe baballarë të kombit. Prandaj edhe në shoqëritë infantile ballkanike ka shumë baballarë të kombit.

Varësisht nga konteksti, në disa vende njerëzit mund t’i gjejnë këta baballarë tek prijësit fetarë, e diku edhe te politikanët. Në Kosovën e periudhës së komunizmit, prijësit shpirtëror nuk mund të gjendeshin as në politikën zyrtare, e as nëpër xhami e kisha. Regjimi komunist jugosllav në masë të madhe shihej si i huaj, ndërsa feja ishte e shtypur.

Ku e përmbushën kosovarët nevojën për prijës shpirtëror? Në Universitetin e Prishtinës. UP-ja gjatë viteve 70 dhe 80 u kthye në simbol të krenarisë dhe në bazë të një rilindjeje kombëtare, duke e fituar kështu statusin e një institucioni misionar. Brenda kësaj fryme nacional-romantike disa nga profesorët dhe akademikët e UP-së u bënë figura mitike të përpjekjes kombëtare për çlirim, dhe ky funksion i ri i shkëputi ata prej rolit të tyre primar si punëtor të thjeshtë shkencorë.

Ky është një fakt të cilin gjithsesi duhet pasur parasysh kur debatojmë për vlerat intelektuale të akademikëve tanë. Shoqëria jonë i ngritë në piedestal këto figura për arsye që s'kanë të bëjnë me shkencë. I sheh si figura të kombit, apo për shkak se mund të jenë njerëz të mirë. Qytetari i thjeshtë nuk i posedon mekanizmat për ta vlerësuar punën e tyre shkencore, sepse nuk e njeh zanatin. Indikator të vetëm mund ta ketë numrin e librave të botuar (që nuk është kurrëfarë indikatori i cilësisë). 

Trajtimi i akademikëve si figura mitike nuk do të duhej ta bënte punën e tyre shkencore të pakontestueshme. Në këtë drejtim, një kriter i cili do të na ndihmonte për ta vlerësuar nivelin e përgjithshëm të punës së tyre shkencorë është kriteri krahasues (meqë, sipas informatave të fundit, thuhet se ekziston një botë e tërë përtej kufijve tanë). Sa nga akademikët tanë kanë arritur që të prodhojnë dije që e ka përparuar shkencën në nivel botëror, përtej fushës së albanologjisë? A i citon kush gjetjet e tyre?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të dhimbshme dhe tragjike. Ta kujtojnë atë thënien që i atribuohet Erasmusit: “Në tokën e të verbërve, njeriu me një sy është mbret”.

 

18 gusht 2015
14:28

Agon Maliqi