Dy shqet?sime intelektuale t? Arben Xhaferit

15 gusht 2015 18:31

Sot bëhen plot tre vjet nga vdekja e intelektualit të rrallë shqiptar, Arben Xhaferi.

Në një intervistë të tij Xhaferi thoshte që “politika është mision, por jo çdo politikan është misionar.” Po të analizohet me kujdes jeta politike e vetë Xhaferit, mund të thuhet që edhe për një kohë të gjatë do të mbetet i pakonkurrencë në mënyrën sesi ai konceptonte problemet e kombit shqiptar.

Në pika të përgjithshme, z. Xhaferi kishte dy shqetësime intelektuale e politike: i pari, marrëdhëniet e kombit shqiptar me Perëndimin, dhe, i dyti, relacionet e shqiptarëve me vetveten, si dhe me popujt e tjerë në Ballkanit.

Sa i përket shqetësimit të parë, pra marrëdhëniet e kombit shqiptar me Perëndimin, Xhaferi i cilësonte ato në nivel të një fati historik, duke tërhequr vëmendjen jo në pak raste për rëndësinë e orientimit dhe pozicionimit të shqiptarëve përkrah shoqërive perëndimore.

Në rastin e shqetësimit të dytë, relacionet e shqiptarëve me vetveten dhe me popujt e tjerë në Ballkan, lirisht mund të thuhet se Arben Xhaferi qe një ndër personalitetet politike që me interes shumë të madh promovonte ndërveprimet e shqiptarëve. Megjithëse e kishte të qartë fuqizimin e këtij relacioni tashmë të avancuar, ai hidhte dilema se si do shkonin tutje këto raporte.

Në këtë aspekt, dy gjëra e preokuponin më së shumti: debatet për identitetin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me theks të veçantë shqiptarët e Kosovës, si dhe debatet për identitetin religjioz e instrumentalizimin e tij për interesa të huaja, në dëm të shqiptarëve.

Të dy shqetësimet e Arben Xhaferit janë aktuale edhe sot. Raportet tona me Perëndimin nuk janë ne nivelin të cilin do të duhej me qenë; Shqipëria është në hapat e parë të anëtarësimit në BE, Kosova mbetet vend i izoluar dhe pa ndonjë perspektivë të qartë integruese, shqiptarët në Maqedoni nuk shihen faktor shtetndërtues e as partnerë me Perëndimin. Po ashtu, raportet e shqiptarëve në Ballkan nuk janë në nivel të kënaqshëm. Nëse duhet ilustruar me një rast, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë e Kosovës nuk janë të nivelit që këto dy vende kanë me shtete tjera të rajonit.

Për t’i trajtuar këto shqetësime, na duhen, në kuptimin xhaferian, politikanë misionarë, të cilët është e mundimshme që t'i gjejmë.

 

15 gusht 2015
18:31

Petrit Zogaj