Mjerimi i Tomës

07 maj 2020 19:04

Njëmend varfëria nuk duket bukur. Është edhe e vrazhdë e irrituese kur e sheh prej perspektives së pushtetit (nga lartë-poshtë) kur nuk ke as dije e as mirëkuptim për të kuptuar e adresuar atë. Nuk do ta shohësh as me sy, dëshiron ta mohosh. Kështu bëri Toma kur sulmoi lypësin, lutjeve të këtij të fundit për lëmoshë, ai iu përgjigj me dhunë.

Një një video të publikuar muaj më parë, në terrin e natës vërehej Tomë Gashi, i cili paradoksalisht qëllon të jetë ndër avokatët më të njohur në vend (më mirë të themi të fuqishëm/pushtetshëm), tek përplaste me shkelma centët e lypësit të shtrirë në tokë dhe e abuzonte atë verbalisht me fjalë si “pisi i keq” që ka kuptimin e papastërtisë - i/e pistë.

Absurditeti i tregimit qëndron tek ajo se ai lere që nuk u ndjekë penalisht për kanosje por as nuk u tërhoq nga gjuha e tij e urrejtjes dhe skenat e dhunshme që bëri. Ditë më parë në një emision televiziv ai tha se do të përsëriste sjelljen po të takonte sërish lypësin. Është e pakuptueshme që ky person vazhdon të këtë prezencë në media duke iu dhënë hapësira për të kërcënuar publikisht.

Avokati thotë ta kenë shqetësuar “zërat e trishtueshëm” të lypësit që kërkonte lëmoshë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë . E kur dikë të fortë si Toma e pengon diçka në rehatinë e tij, ai nuk njeh mjete. Përplasë e ofendon. Nuk do t’ia di për dhimbjen e dikujt që nuk ka garanci as për mbijetesë, dikush si avokati Tomë i m’veshur me privilegje.  

“Ata janë një grup i organizuar prej kriminelëve… janë punëtorë të njerëzve me Mercedesa. Shpesh herë kam kaluar aty bashkë me disa pjesëtarë të Policisë dhe të njëjtit kanë thënë se nuk kemi çfarë t’u bëjmë”. Në këtë deklaratë të avokatit ekzistojnë dy shkarje.

E para - nëse avokati paska informata lidhur me këtë organizim kriminal dhe shfrytëzim të disa njerëzve të varfër nga “shefat me Mercedesa”, a i ka paraqitur këto raste në polici? A ka bërë minimumin e detyrës së tij prej avokati, apo profesionin e ka vetëm për të përfituar e për të shtypur pastaj të dobëtit?!  Edhe sikur të jetë i bindur dhe i shqetësuar avokati për lidhjet e lypsarit me grupet kriminale, është e çuditshme se si ai vendosi të mos sulmoj “shefin me Mercedes” por pikërisht qytetarin e pambrojtur, atë të shfrytëzuar sipas tij nga të tjerët?

E dyta – kur ai thotë se policia dhe inspeksioni nuk po arrijnë të largojnë lypsarët nga rruga,  pyetja thelbësore që duhet shtruar është se kush është ky njeri që po merr ligjin në duar, duke tentuar të largojë vet qytetarët nga sheshet?! Sjellja e tij në gjuhën më të zbutur të mundshme quhet kanosje dhe si e tillë është e ndaluar me ligj.  

Sulmi i Tomës, është tendencë për të fshehur të vërteten. Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës jetojnë me më pak se një euro e 72 cent në ditë. Disa prej tyre kërkojnë lëmoshë dhe prej saj jetojnë. Largimi i lypsarëve nga rrugët nuk ndikon që varfëria të ulet, vetëm se i bënë rrugët më të “bukura” për sytë e njerëzve të ngjashëm me avokatin.

Mungesa e ndjeshmërisë dhe gjuha e urrejtës të cilën po përdorë ky person duke i quajtur qytetarët e vendit lopë, kastravecë, kriminelë vetëm pse ata janë të varfër tregon se si ai i sheh njerëzit e pambrojtur e të pastrehë. Deklaratat e tij që fajësojnë të varfrit për gjendjen e tyre të mjerë janë gjuhë e njohur tashmë. Avokati do të duhej që mllefin e tij ta adresojë ndaj institucioneve që kanë për obligim krijimin e kushteve të mira për jetesë për secilin qytetarë e asesi ndaj viktimës.

Varfëria nuk duhet të shihet si e vet-shkaktuar por si pasojë e një sistemi që favorizon të fortin e nëpërkëmbë të varfrin. Duhet ndërruar qasja e duhet punuar në politika që të gjithë qytetarët e vendit të gëzojnë të drejtën për jetë të dinjitetshme.

Bota nuk është vetëm e njerëzve si Toma. Sheshi, qyteti e jeta e mirë duhet të na takojë të gjithëve në mënyrë të barabartë. Thirrjet e të varfërve në sheshet e kryeqytetit që po “sulmojnë” komoditetin e avokatit përderisa po punon në zyrën e ngrohtë, nuk duhet shukatur. Përkundrazi, kemi obligim që të bashkojmë zërat kundër varfërisë e kundër shtypjes. Askujt nuk guxon t’i cenohet e drejta për të jetuar. Toma që sulmoi qytetarin duhet të  gjykohet.

07 maj 2020
19:04

Leonida Molliqaj