Kundër kriminalizimit të trupave të grave

21 qershor 2019 13:20

Një vendim për ndalim të abortit në Alabama ka rifokusuar vëmendjen për të drejtat riprodhuese të grave, jo vetëm në Amerikë por në mbarë botën.

Senati i dominuar nga Republikanët miratoi me 25 vota pro dhe 6 kundër, projektligjin që ndalon abortet në secilën fazë të shtatzanisë përveç në rastet kur jeta e nënës është në rrezik, duke përjashtuar kështu edhe të drejtën për abort në rastet e përdhunimeve dhe incestit. Mjekët mund të përballen me 10 vite burg për përpjekje për të ndërprerë një shtatzani dhe 99 vite për kryerjen e procedurës. Projektligji u miratua edhe nga guvernatorja republikane nga Alabama, Kay Ivey. Ajo çka është shumë shqetësuese e që po duket se po tentohet të arrihet përmes kësaj nisme, është që ligji të shkojë për miratim në Gjykatën Supreme të SHBA-së, ku me emërimet e fundit nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, kjo gjykatë përbëhet prej një shumice të gjyqtarëve konservatorë, të cilët janë deklaruar publikisht kundër abortit.

Ky projektligj është lëvizja më dramatike që është ndërmarrë kundër të drejtave të grave mbi shëndetin e tyre, i cili po lëkund vendimin e vitit 1973 që legalizoi abortin në SHBA. Ai është më kufizues sesa ndalimet në rreth gjysmën e vendeve në Lindjen e Mesme.

Gratë detyrohen të lindin përkundër vullnetit të tyre. Këtë e thotë ligji i ri. Edhe nëse ajo lindje është rezultat i përdhunimit. Edhe nëse fëmija lind pa dashuri. E kush flet këtu për dashuri?! Trajtim çnjerëzor i grave. Mohim i autonomisë së tyre.

Alabama duket të jetë vetëm një pikënisje e politikanëve konservatorë për të shtrirë ndalesën e abortit në mbarë Amerikën. Kufizime mbi të drejtat e abortit tashmë janë fuqizuar në 16 shtete të SHBA-së me anë të ligjeve. Kjo valë e re e ndërhyrjeve ka qëllim që të rikthejë kontrollin institucional e shtetëror mbi të drejtat riprodhuese të grave duke sulmuar kështu drejtpërdrejt vendimet e tyre elementare si qytetare të shoqërisë.

Zgjedhja i takon gruas

Qasja në shërbime të sigurta shëndetësore, duke përshirë edhe abortin, është e drejtë e grave e garantuar nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara. Pavarësisht kësaj, qasja në abort të sigurt është e cenuar në disa vende të botës e kohëve të fundit ndalimi i rreptë i tij është duke u shtyrë fuqishëm në SHBA.

Në fakt, e drejta për abort është një nga temat më të nxehta të diskutueshme në nivel global ku në përgjithësi ekzistojnë dy rryma të ndryshme të qëndrimeve. Disa mendojnë që grave u takon për të vendosur vetë si për lindjen ashtu edhe për abortin, duke kundërshtuar kështu pjesën tjetër të cilët insistojnë se aborti është krim dhe gruaja nuk ka të drejtë të realizojë atë, sepse sipas tyre ajo në këtë rast “merr një jetë”. Këta të fundit zakonisht përqafojnë politikisht frymën konservatore dhe atë fetare ku abortin asnjëherë nuk e diskutojnë në aspektin e të drejtave të njeriut por vetëm në atë moral. Ky lloj diskursi i objektifikon gratë vetëm brenda rolit riprodhues duke i zhveshur kështu në mënyrë brutale nga të drejtat njerëzore.

Autorja feministe Laurie Penny shkruan se  këto ligje nuk kanë të bëjnë me faktin nëse një fetus është një person por ato kanë të bëjnë me ruajtjen e kontrollit maksimal të autonomisë seksuale të grave si një parim themelor i sundimit konservator.  “Fakti i thjeshtë se një abort e merr një jetë - nëse kjo është me të vërtetë ajo që beson - nuk mjafton për të justifikuar burgosjen e vajzave të vogla që abortojnë. Ka shumë situata ku ligji amerikan i lejon një individi të marrë një jetë: thyerja e shtëpive, vetëmbrojtja, anëtarësimi në forcat e armatosura..”.

Shumica e votuesve të kufizimeve të abortit në SHBA ishin burra duke qenë se ata përfaqësohen në mënyrë joproporcionale në legjislatura, veçanërisht në shtetet konservatore. Ky vendim që në mënyrë direkte lidhet me shëndetin dhe jetën sociale të grave u votua nga 25 burra në Alabama, në Misuri 21 nga 24 senatorë që votuan për ligjin ishin burra si dhe në Xhorxhia 33 nga 34 senatorë ishin burra.

Pra, kriminalizimi i trupave të grave u votua fuqishëm nga burrat. Burrat e bardhë. Sigurisht ata nuk ishin kundër abortit vetëm se ishin burra, ata përqafojnë vlera konservatore që e parashohin abortin të paligjshëm, megjithatë me votën e tyre ata nuk përfaqësuan gratë e papuna, të varfra, adoleshentet e varura nga familjarët, e aq më pak gratë refugjate dhe ato me ngjyrë.

Kate Gilmore, komisionere e OKB, tha se ndalimi i abortit është privimi i së drejtës për shëndet dhe një sulm ndaj së vërtetës, shkencës dhe vlerave universale. "Ne duhet të qëndrojmë përkrah dëshmive dhe fakteve dhe në solidaritet me gratë, dhe në veçanti me  gratë e reja dhe gratë e pakicës që janë me të vërtetë nën presion të madh. Kjo gjë nuk ndikon njëjtë tek gratë që i kanë kushtet e mira ekonomike dhe tek gratë pa të ardhura, ose te gratë e afta për punë karshi grave me aftësi të kufizuara, te gratë urbane e ato rurale”.

Ligjvënësit që vendosën këto kufizime ekstreme në qasjen e abortit nuk përfaqësojnë pikëpamjet e shumicës së amerikanëve. Një sondazh i pavarur, i lëshuar në janar të vitit 2019 tregon se 73%  e qytetarëve janë kundër përmbysjes së rregullimit ligjor të vitit 1973 që e legalizoi abortin në Amerikë.

Abortet ndodhin pavarësisht ndalimeve ligjore

Mësimet që kemi marrë nga e kaluara tregojnë se numri i aborteve në botë nuk ka ndryshuar pavarësisht ndalimit ligjor të tij. Sipas Institutit Guttmacher, shkalla e abortit është 37 për një mijë njerëz në vende që ndalojnë abortin totalisht ose lejojnë vetëm në rastet për të shpëtuar jetën e një gruaje dhe 34 për një mijë njerëz në vende që përgjithësisht e lejojë abortin.

Në fakt shifrat e abortit janë afërsisht të njëjta në vite dhe vende të ndryshme. Por ajo që ka ndodhur kur e drejta për abort është mohuar me anë të ligjeve, është pikërisht rrezikimi i shëndetit të grave.

Aborti i kryer keq shoqërohet me shqetësime nervore që mund të çojnë në kriza epileptike dhe shpesh shkaktojnë sëmundje të brendshme që mund të shpërthejnë në hemoragji vdekjeprurëse. Për dallim nga abortet legale të cilat realizohen në klinika dhe mjekë të licencuar, abortet e pasigurta mund të kenë pasoja fatale për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor.

Tepër i rëndësishëm për t’u vënë në pah është fakti se abortet e pasigurta janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve të nënave në mbarë botën sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Bazuar në këto të dhëna ka rreth 22 milionë aborte të pasigurta në vit, duke rezultuar në 47 mijë vdekje, dhe më shumë se 5 milionë komplikime të tjera shëndetësore. SHBA-ja ka normën më të lartë të vdekshmërisë së nënave.

Ja pse ligjet kufizuese ndaj abortit cenojnë direkt shëndetin e grave. Ato po kërkojnë që gratë të jenë më të përgjegjshme për jetën e tyre seksuale ndërsa burrat jo.  Kjo është pika përbashkuese e fetarëve dhe e konservatorëve. Moralizimi i jetës seksuale të gruas.

E drejta për abort nuk është e rëndësishme thjesht si zgjedhje personale e grave për trupin e tyre, ajo është një e drejtë që u takon atyre për të vendosur vetë për rolin e tyre në shoqëri. Të detyrosh dikë që të mbajë një shtatzani të padëshiruar ose t’i ofrosh një abort të pasigurt si zgjidhje, është shkelje mbi të. Sipas Laurie Penny detyrimi i një gruaje për të lindur kundër vullnetit të saj është moralisht ekuivalent me përdhunimin. Është pikërisht e njëjta logjikë e të drejtës dhe abuzimit: burrat marrin kontrollin e trupave të grave. Normalizimi i ndalimit të abortit është normalizim i përdhunimit. Asnjë individ apo institucion nuk duhet të jetë i autorizuar për të shkelur mbi trupat e grave. Asnjë.

Trump na paralajmëroi gjatë fushatës sesi do të jetë në qeverisje me anë të deklaratave mizogjene e seksiste. Qeverisja e tij po tenton t’i prapakthejë të drejtat e grave të arritura përmes protestave, aksioneve politike dhe grevave të urisë. Ajo që është fituar me shumë përpjekje dhe insistim ka rrezik të përmbyset, prandaj, sot, protestat e organizuara nga gratë, kundër pushtetit të Trump-it, duhet të rikthehen me një diskurs që thërret edhe përtej çështjes konkrete. Sot, duhet të thërrasim për barazi e drejtësi sociale. Lufta duhet të zgjerohet. Të drejtat duhet të rifitohen.

 

 

21 qershor 2019
13:20

Leonida Molliqaj

të ndërlidhura